E Martë, 3 Nëntor 2026

JEMEN – Dhjetëra të vdekur pas një sulmi amerikan

SANAA, 18 prill /ATSH-DPA/ – Të paktën 38 persona janë vrarë pasi ushtria amerikane kreu një seri sulmesh dhe shkatërroi portin e karburantit Ras Isa në Jemen, i cili kontrollohet nga milicia Houthi aleate e Iranit.

Operacioni, i kryer në mbrëmje, kishte për qëllim eliminimin e një burimi kryesor të të ardhurave për Houthis, i cili ndihmon në “mbështetjen e operacioneve të tyre ushtarake”, theksoi Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) në një postim në X.

“Qëllimi i këtyre sulmeve ishte të minonin burimin e fuqisë ekonomike të Houthis, të cilin ata vazhdojnë ta shfrytëzojnë dhe të shkaktojnë vuajtje të mëdha për bashkatdhetarët e tyre”, shtoi CENTCOM.

Ndërsa CENTCOM nuk dha shifra për viktimat, televizioni ”al-Masirah”, i lidhur me Houthi, raportoi se të paktën 38 njerëz u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën në bombardime.

Sipas transmetuesit, i cili citoi autoritetet lokale shëndetësore në qytetin port të Al-Hodeidah, shumë prej të plagosurve pësuan djegie dhe lëndime të tjera të rënda.

Ai shtoi se ekipet mjekësore po punonin nën presion ekstrem për të trajtuar fluksin e viktimave.

Burimet rebele thanë se operacioni shënoi një nga përshkallëzimin më vdekjeprurës në rajon në javët e fundit./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›