Ndërpriten diskutimet e seancës plenare, miratohen projektligjet në rendin e ditës

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Kuvendi miratoi sot projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, pas ndërprerjes së seancës plenare dhe kalimit në proces votimi.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në votim, pasi deputetët e opozitës nuk lejuan vijimin e seancës plenare.
Seanca u shoqërua me tensione, teksa deputetët e opozitës kërkuan përjashtimin e Ballës dhe ndërprenë punimet e Kuvendit.
Pas kalimit në votim deputetët e opozitës braktisën seancën.
Kuvendi miratoi më pas me 81 vota pro në seancën e sotme projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Kuvendi miratoi 80 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave (huamarrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin “Infrastruktura bashkiake V – faza II””.
Sot u miratua me 81 vota pro edhe projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
Gjithashtu u miratua me 81 vota pro projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar”.
Kuvendi rrëzoi me 79 vota kundër projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.
Kuvendi rrëzoi me 78 vota kundër projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore””.
Kuvendi miratoi me 80 vota pro edhe projektvendimin “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.
/gj.m/r.e/