Ndërpritet qarkullimi në Qafë Thore, shkak rënia e ortekëve në rrugë

Është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në Qafë Thore, si rezultat e rënies së ortekëve që kanë bllokuar një segment të rrugës. Kreu i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, bën me dije se rritja e temperaturave dhe moti me diell ka riaktivizuar rënien e ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore, duke bllokuar segmentin rrugor rreth km 5.5.
Sipas kreut të bashkisë, për shkak të nivelit të lartë të rrezikshmërisë, është pezulluar aktualisht edhe ndërhyrja për pastrim, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor.
Beci i bën thirrje qytetarëve që të shmangin këtë aks dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.
“Si pasojë e rritjes së temperaturave dhe ndikimit të rrezeve të diellit në shpatin malor, është riaktivizuar rënia e ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore, duke bllokuar segmentin rrugor rreth km 5.5. Aktualisht, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Për këtë arsye, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për largimin e borës nga ortekët.
Duke vlerësuar situatën e krijuar dhe nivelin e lartë të rrezikshmërisë, qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë. Strukturat përgjegjëse mbeten në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm. Ju lutemi të shmangni lëvizjet në këtë aks dhe të respektoni udhëzimet e autoriteteve për sigurinë tuaj”, shkruan ai.
/rtsh.al/