Ndërron jetë në QSUT 91-vjeçari i paraburgosur, ishte arrestuar për tentativë vrasjeje në familje

Një 91-vjeçar, i cili ndodhej në masën e paraburgimit për një krim të rëndë brenda familjes, ka ndërruar jetë pasditen e sotme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, i ndjeri është shtetasi Medat Spahiu, i ditëlindjes 10 prill 1935, banues në Xhafzotaj të Durrësit. Ai ishte vënë në pranga pak javë më parë, konkretisht më datë 14 mars 2026, i dyshuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë”.
Për shkak të moshës së thyer dhe gjendjes delikate shëndetësore, Spahiu nuk e ka kryer paraburgimin në qeli, por në institucione shëndetësore nën ruajtjen e forcave të policisë së burgjeve.
Më 17 Mars 2026 i moshuari kaloi në juridiksionin e IEVP Durrës, duke u mbajtur nën ruajtje në ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ndodhej i shtruar.
Për shkak të nevojës për trajtim të specializuar, ai u transferua në pavijonin e pneumologjisë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Pas trajtimit aty, pacienti u bë dalje nga Sanatoriumi dhe u shtrua në QSUNT për kujdes të mëtejshëm.
Komplikacionet mjekësore dhe shkaqet e vdekjes
Gjendja e 91-vjeçarit është rënduar në mënyrë drastike mbrëmjen e datës 2 prill, rreth orës 22:34, kur ai është shtruar me urgjencë në Reanimacionin Qendror. Kartela e tij mjekësore ishte tejet e rënduar me diagnoza të tilla si: hipertension arterial, diabet mellitus, gjendje pas një ishemie cerebrale (A.V.C.) dhe një frakturë në këmbën e majtë (subtrokanterike sinister).
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve reanimatorë, ditën e sotme rreth orës 14:10, pacienti ka ndërruar jetë. Sipas mjekëve, shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes ka qenë një emboli pulmonare dexter (bllokim i një arterieje në mushkërinë e djathtë).
Autoritetet njoftojnë se për këtë ngjarje janë vënë në dijeni familjarët e të ndjerit, ndërkohë që po zbatohen të gjitha procedurat administrative dhe ligjore që parashikon rregullorja për rastet e humbjes së jetës së personave që ndodhen në masë paraburgimi.
/rtsh.al/