E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtoi pa leje objektin 5-katësh në Himarë, në pranga pronari, në kërkim tre inspektorë të IMT

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Një 39-vjeçar është arrestuar në Himarë, pasi po ndërtonte pa leje një objekt 5-katësh, ndërsa tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Himarë janë shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.

Policia e Himarës, gjatë kontrolleve në terren për evidentimin e ndërtimeve të paligjshme, konstatoi në vendin e quajtur “Sugë” një objekt 5-katësh në proces ndërtimi, njëri prej kateve nën tokë, për të cilin nuk ishte pajisur me leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e policisë arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, shtetasin L. B., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur D. H., 46 vjeç, me detyrë kryeinspektor, si dhe M. K., 31 vjeç, dhe A. H., 42 vjeç, me detyrë inspektorë pranë IMT-së së Bashkisë Himarë. Të tre dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Policia bën të ditur se vijon puna për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale lidhur me rastin.

Kontrollet dhe verifikimet në territor vijojnë për evidentimin dhe parandalimin e ndërtimeve të paligjshme, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›