Ndeshja me Serbinë, Gjimshiti: Hyjmë për fitore

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, doli sot në konferencë për shtyp, në prag të duelit me Serbinë, që do të luhet të shtunën e 7 qershorit.
Fillimisht, Gjimshiti foli për takimin me gjyshërit e tij në Luginën e Preshevës, ndërsa theksoi se porosia ishte fitore ndaj Serbisë.
Mbrojtësi kuqezi deklaroi se, ekipi është gati për një përballje delikate si kjo. Gjimshiti u shpreh se Shqipëria do të kërkojë me çdo kusht fitoren.
“Kemi bërë shumë stërvitje dhe mendoj se jemi gati. Tifozët e Shqipërisë, janë më të mirët në botë. Gjithmonë kanë qenë shtysë për ne dhe mendoj se edhe nesër do të jetë”, tha ai.
“Kisha 3-4 ditë pushim dhe shkoja të takoja gjyshërit në vendlindje. Vitet e kaluara kam pasur pak kohë dhe ishte një gjë e rëndësishme që ta bëja. Porosia ishte ajo që dimë të gjithë. Jemi 100% të fikusuar te ndeshja. Ne futemi me synimin për të fituar ndeshjen, ndaj një kundërshtari të fortë”, u shpreh Gjimshiti.
“Ka disa gjëra emocionale, që mund t’i ndjekin disa lojtarë. Duhet të fokusohemi te futbolli dhe te ndeshja. Emocionet duhen në një ndeshje futbolli, por duhen mbajtur dhe të fokusohemi te fusha”, theksoi kapiteni.
“Në fushë duhet të japim gjithçka dhe pastaj tifozët do na duartrokasin. Jemi përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje. Me Samardzic kemi folur, por nuk do e them këtu. I gjithë ekipi i Serbisë ka lojtarë të fortë. Duhet të jemi të fokusuar te i gjithë ekipi”, tha ai.
Ndeshja Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”. /j.p/
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, foto:Agim Dobi 1 nga 4