E Martë, 3 Nëntor 2026

Kurs i paqëndrueshëm i këmbimit valutor në javën e parë të qershorit

TIRANË, 6 qershor  /ATSH/ Monedhat e huaja janë shfaqur të paqëndrueshme përgjatë javës së parë të muajit qershor të këtij viti, duke regjistruar nënçmim të konsiderueshëm të vlerës së tyre në raport me lekun.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë monedha europiane është dobësuar me 0,3 lekë këtë fundjavë. Ajo këmbehej në fillim të javës me 98,35 lekë dhe në fundjavë me 98,05 lekë.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se gjatë kësaj jave euro blihej mesatarisht në vlerën 97,71 lekë dhe shitej 98,39 lekë.

Gjithashtu humbje të terrenit ka shfaqur edhe dollari amerikan që këmbehet sot me 85,87  lekë kundrejt 86,06 lekë që ishte të hënën. Monedha e gjelbër amerikane këtë javë u ble mesatarisht me 85,44 lekë dhe u shit me 86,33 lekë.

Ndërsa paundi britanik ndërkaq pas një rritjeje të vlerës ditën e mërkurë në vlerën 116,73 lekë, ka shënuar një rënie ditën e premte duke kapur kuotën e 116,48 lekë me një zbritje totale prej 0,09 lekë nga dita e hënë, kur u këmbye me 116,58 lekë.

Franga zvicerane ka pësuar një rënie graduale që nga dita e hënë duke u këmbyer sot me 104, 73 lekë kundrejt vlerës 105 ,41 lekë që këmbehej ditën e hënë. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›