E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndikimi i rrjeteve sociale, sociologët dhe prindërit: Të ndalohen për fëmijët nën 15 vjeç

Sociologët, prindërit dhe gjyshërit po mbështesin idenë e ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 15 vjeç, sikurse ka vepruar edhe shteti australian së fundmi, duke e konsideruar këtë si një masë të domosdoshme mbrojtëse.

Sipas tyre, ekspozimi i hershëm ndaj platformave online ndikon negativisht në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve.

“Të rinjtë po shkatërrohen nga rrjetet sociale. Shoqëria shqiptare duhet t’i shikojë këto, që nga familja”, shprehen prindërit.

Sociologët shprehen se, ndonëse teknologjia ka përfitimet e saj, rreziku për të miturit mbetet i lartë, ndaj vendosja e kufizimeve shihet si hap i rëndësishëm për mirëqenien dhe zhvillimin e tyre të shëndetshëm.

“Teknologjia sot ka një informacion të bollshëm dhe të pakontrolluar, çka do të thotë që për fëmijët dhe për adoleshentët, të cilët nuk i kanë filtrat e duhur intelektualë e psikologjikë për të bërë dallime dhe për të menaxhuar veten në aspektet psikologjike, intelektuale dhe emocionale të tyre. Të rinjtë sot kalojnë shumë kohë në rrjetet sociale, si të thuash më tepër janë nën kontrollin e edukimin e rrjeteve sociale sesa të prindërve, edukatorëve e me radhë. Do të ishte udhës të mendojmë se si mund ta minimizojmë, ta kthejmë fëmijën dhe adoleshentin tek e natyrshmja”, tha sociologu Eriseld Kalemaj.

Ekspertët theksojnë se bullizmi online, presioni i krahasimit me të tjerët dhe varësia nga ekrani po bëhen gjithnjë e më shqetësuese.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›