E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndotje mjedisore, procedohet penalisht administratorja e hotelit në Dhërmi

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në vijim të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, si dhe në zbatim të bashkëpunimit ndërinstitucional për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me taskforcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, ushtruan verifikime në një subjekt hotelier në fshatin Dhërmi.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar dje, u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i këtij hoteli ishte jashtë funksionit dhe si pasojë, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal, në gjendje të lirë, për administratoren e hotelit, shtetasen E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.

Ndërkohë, nga ana e taskforcës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, u vendos masë administrative ndaj subjektit, për shkeljen e konstatuar.

Policia njofton se, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit në çdo zonë të qarkut. //j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›