Policia gjen 8-vjeçarin nga Kosova të humbur në plazhin e Shëngjinit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Policia gjeti dhe ua ktheu prindërve një fëmijë që kishte humbur në plazhin e Shëngjinit.
Reagimi i menjëhershëm i Policisë dhe i vrojtuesve të plazhit bëri të mundur gjetjen e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.
Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 8-vjeçar nga Kosova.
Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit në Shëngjin u angazhuan dhe koordinuan veprimet me vrojtuesin e plazhit për gjetjen e fëmijës.
Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin pranë një hoteli. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij.
Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit të plazhit për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit.