E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshime në skemën e pensioneve/ Çfarë është dhe si funksionon Kolona e Tretë?

“Po përgatisim edhe një kolonë tjetër të skemës së pensioneve, e cila i bashkëngjitet në mënyrë komplementare sistemit aktual, kolonës qendrore të pensioneve, duke krijuar një hapësirë të re dhe një mundësi të dytë mbështetjeje për të ardhmen.

Ideja është shumë e thjeshtë: çdo punonjës që zgjedh të kontribuojë me një shumë të vogël nga paga e tij, për shembull 1 euro në muaj, do të ketë një kontribut të barabartë nga pala tjetër, shteti ose punëdhënësi në sektorin privat. Në këtë mënyrë, kontributi dyfishohet dhe, muaj pas muaji, krijohet një fond individual, i cili i shtohet pensionit që përfitohet normalisht nga kolona e parë, skema ekzistuese”.

Kështu u shpreh gjatë podcastit të sotëm kryeministri Edi Rama.

Por cilat janë elementet që përmban skema e re e pensioneve, bëhet fjalë për kolonën e dytë të shumëkërkuar nga kompanitë private apo konsolidimin e kolonës së tretë?

Skema e re lidhet me konsolidimin e shtyllës së tretë të pensioneve.  Shtylla e tretë e pensioneve në Shqipëri i referohet pensioneve private vullnetare dhe funksionon në bazë të ligjit për fondet e pensioneve private vullnetare.

Aktualisht kolona e tretë është një skemë kursimi vullnetare ku individët depozitojnë para në një fond pensioni privat për të krijuar të ardhura shtesë kur dalin në pension. Nuk është e detyrueshme, administrimi bëhet nga shoqëri administruese të licencuara dhe mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Por ndryshimet në skemë të iniciuara nga qeveria synojnë të prekin fillimisht punonjësit e administratës shtetërore, të cilët nxiten që të kontribuojnë një përqindje të caktuar nga paga në këtë skemë dhe pjesën tjetër e mbulon buxheti i shtetit.

Drafti është në hapat e parë edhe ende nuk është përcaktuar përqindja për secilën palë. Ndërsa për punonjësit në sektorin privat, po merren në konsideratë praktikat ndërkombëtare, që të nxiten të kontribuojnë në kolonën e tretë.

Ky kontribut lehtëson peshën e skemës publike të pensioneve nga njëra anë dhe nga ana tjetër garanton më shumë të ardhura dhe mirëqenie për qytetarët kur arrijnë në moshën e përfitimit nga kontributet.

Qeveria parashikon që skema të jetë gati deri në fund të këtij viti.

Si funksionon aktualisht kolona e tretë?

Kolona e tretëështë pensioni privat vullnetar. Në Shqipëri, kjo kolonë funksionon prej rreth 20 vitesh dhe u jep mundësinë individëve të kursejnë për të pasur një garanci shtesë financiare gjatë pleqërisë. Funksionimi i kolonës së tretë është i thjeshtë: gjatë periudhës së punësimit, një individ mund të krijojë një fond privat pensioni ku derdh kontribute mujore, tremujore ose vjetore në llogarinë e tij të fondit. Ne, si kompani administruese, investojmë fondet e akumuluara nga anëtarët tanë kryesisht në instrumente financiare me risk minimal, duke gjeneruar një normë mesatare kthimi prej rreth 4.2%. Kjo është norma mesatare e kthimit që ne u ofrojmë anëtarëve tanë.

Të paturit e një fondi privat vullnetar sjell disa avantazhe. Përveç faktit që individi kursen për të ardhmen, këto para jo vetëm ruhen, por edhe investohen, duke gjeneruar një fitim shtesë.

  • Çdo aset që anëtari ka në llogarinë e tij është i trashëgueshëm dhe nuk humbet në asnjë moment; ai u kalon familjarëve.
  • Çdo shumë në llogarinë e pensionit privat është e patjetërsueshme: edhe nëse individit i bllokohen llogaritë për shkak të detyrimeve ndaj palëve të treta apo problemeve ligjore.
  • Asetet në fondin e pensionit privat nuk preken.
  • Individët përfitojnë lehtësira fiskale, çdo pagesë që bëhet nga paga për fondin privat i zbritet nga tatimi mbi të ardhurat.
  • Edhe kompanitë mund të krijojnë fonde pensioni për stafin e tyre dhe çdo shpenzim i bërë për këtë qëllim u zbritet nga tatimi mbi fitimin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›