Ndryshime në strukturën e Kuvendit/ PS do propozojë shtim të tre komisioneve parlamentare

Jo vetëm ndryshime në kabinetin qeveritar por sesioni i ri politik pritet të sjellë ndryshime edhe në strukturën e komisioneve parlamentare.
Për këtë legjislaturë të 11-të, socialistët pritet të propozojnë 11 komisione parlamentare nga 8 që janë aktualisht.
Burime për “Abc News” thanë se të paktën dy komisione do të ndahen, ndërsa Komisioni për Politike të Jashtme do të bashkohet me atë për Çështjet Europiane. Ky i fundit, i cili deri më tani, drejtohej nga opozita pritet të drejtohet nga mazhoranca.
E për ta kompensuar këtë opozitës pritet ti kalojë drejtimi i Komisionit për të drejtat e njeriut, i cili do të dale nga ndarja e Komisionit të Ligjeve.
Po ashtu edhe Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese pritet të shkrihet në tre komisione të tjera: përkatësisht burimet natyrore, infrastruktura dhe bujqësia.
Po ashtu edhe komisioni i posaçëm “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian, do të jetë i përhershëm por me një fushë veprimi më të gjerë. Gjithashtu pritet të ketë propozime edhe për ndryshimin e emërtimeve të komisioneve dhe uljen e numrit të anëtarëve.
Kjo ndarje parashikohet të bëhet edhe për të lehtësuar punën parlamentare, në përmbushje të angazhimeve që vijnë nga negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për të gjitha këto do të duhen ndryshime në rregulloren e parlamentit. Ky i fundit pritet të nisë punimet me 12 shtator.