E Hënë, 2 Nëntor 2026

PL: Me Operatorin e Menaxhimit të Mbetjeve iu rrëmbehen bashkive kompetencat

TIRANË, 29 gusht /ATSH/ Partia e Lirisë kritikoi qeverinë pas prezantimit të Operatorit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet tha se “ky institucion qendror është vetëm një fasadë për të përqendruar të gjitha kompetencat në duart e qeverisë dhe për të vazhduar abuzimin me fondet publike”.

Sipas Partisë së Lirisë, qeveria po u merr kompetencat bashhkive si në menaxhimin e mbetjeve, ashtu edhe në dhënien e lejeve të ndërtimit.

“Bashkitë po shndërrohen në klientë të një ndërmarrjeje qendrore, të detyruara të paguajnë fatura të kripura për shërbime të dështuara, pa të drejtë fjale e pa asnjë kontroll. Ky është fundi i vetëqeverisjes vendore dhe kthimi i pushtetit lokal në vegël të bindur të pushtetit qendror”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se “krijimi i një institucioni qendror për menaxhimin e mbetjeve jo vetëm që centralizon më tepër pushtetin por edhe rrit mundësinë për abuzimin me fondet milionaeuroshe nga qeveria. Ndërkohë miliona euro vazhdojnë të paguhen nga bashkitë për inceneratorë që nuk ekzistojnë”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›