E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndryshimet në qeveri e grupin parlamentar të PS-së, Klosi: Funksionojmë si ekip, kemi trajner fitues

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas Kongresit të PS-së që u mbajt këtë të diel, ka bërë një analizë të shkurtër të kësaj ngjarje politike, duke iu ndaluar kryesisht tek ndryshimet në qeveri dhe emrat e propozuara nga kryeministri, Edi Rama.

Duke u ndalur tek ndryshimet në qeveri, gjatë komunikimit me gazetarët, ai theksoi se ato janë një ekskluzivitet i kryeministrit.

“Ne jemi 12 drejtues qarqesh. Të 12 ishin të përfshirë në këtë proces. Të gjithë drejtuesit politik ndoqën procesin e rienergjizimit të partisë. Rezultati i procesit ishte dhe falë drejtuesve politik. Për sa i përket ndryshimeve në qeveri janë ekskluzivitet i kryeministrit. Ndryshimet janë pjesë e një ekipi, pozicionohen në pjesë të ndryshme. Kemi një trajner që na ka nxjerrë fitues. Sa i përket grupit parlamentar, nesër (të hënën) në 8 të mëngjesit kemi një mbledhje të grupit ku do diskutohen edhe ndryshimet.”, tha Klosi. 

Votimi për anëtarët e Asamblesë Kombëtare

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, tha se “risi e procesit të votimit është se mbi 90 % e kandidatëve të propozuar për t’u zgjedhur anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste vijnë për herë të parë”.

Sipas tij, delegatët e Kongresit votuan për anëtarët e Asamblesë Kombëtare sipas qarqeve, propozime që ishin mbledhur nga e gjitha baza e PS-së.

“Ishin 260 kandidatë për t’u zgjedhur në Asamblenë Kombëtare nga të cilët 156 zgjidhen dhe fitojnë me parimin e votos së Asamblesë. E rëndësishme është që çdo njësi bashkiake është e përfaqësuar në këtë votim dhe ka anëtarët e saj në Asamble sipas propozimeve që vijnë nga baza”, tha Klosi.

Klosi u shpreh se, trupa që do të dali nga këto votime, do të jetë pothuajse me anëtarë të rinj. Gjithashtu vijoi ai, në këto zgjedhje kishte barazi të plotë gjinore me vajza dhe djem që përfaqësojnë këto kandidatura. Po ashtu, ishte e mbrojtur me statut prezenca e të rinjve në këto kandidatura.

“Për herë të parë kishim vendimmarrje të kryesisë së PS, ku të gjithë kandidatët e propozuar në Asamblenë Kombëtare si rrjedhojë dhe anëtarët e zgjedhur, nuk do të mbanin poste drejtuese në administratën qendrore apo lokale” , u shpreh Klosi.

Klosi bëri të ditur se sipas praktikës Asambleja e re pasi të kalojë dhe procesin e garancive statutore dhe votimit në PS në fund të muajit gusht, do të filloj punën e saj, pasi siç tha ai “jemi në kushtet e fushtatës zgjedhore dhe Asambleja do të ketë detyra për përgatitjen zgjedhore ndaj është me rëndësi mbledhja e parë e kësaj asambje për të zgjedhur dhe forumet drejtuese të PS”, theksoi Klosi.

Ai theksoi se, PS ka në bazë të saj ndryshimin.

“Ne jemi forcë e madhe me 100 mijë 975 anëtarë aktiv dhe në këtë masë të madhe kushdo është i mirëpritur të kandidojë për poste drejtuese. Gjithçka është në shërbim të fitores të zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Klosi.

“Jam i nderuer të përfaqësoj qarkun e Vlorës dhe drejtimi i qarqeve është me rëndësi për  fitoren e mandiata të kartërt dhe me shifra spektakolare”, deklaroi Klosi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›