E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Japoni macet “nënshkruajnë” dokumentet e adoptimit? Ja çfarë qëndron pas videos virale

TIRANË, 5 korrik /ATSH/- Një video që po qarkullon gjerësisht, në rrjetet sociale ka tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve, duke treguar një mace, që lë një gjurmë të putrës, në dokumentet e adoptimit përpara se të largohet drejt shtëpisë së saj të re.

Disa strehimore dhe organizata japoneze për shpëtimin e kafshëve, përdorin një gjurmë simbolike të putrës së maces, në dokumentet e adoptimit. 

Gjurma vendoset me bojë të posaçme, të sigurt për kafshët, dhe shërben si një kujtim i veçantë për familjen e re, duke simbolizuar fillimin e jetës së kafshës në shtëpinë e saj të përhershme.

Kjo praktikë nuk parashikohet nga ligji japonez dhe nuk zbatohet në të gjitha strehimoret.

Ajo është një traditë e krijuar nga disa organizata të shpëtimit të kafshëve, dhe është bërë e njohur falë videove, që janë shpërndarë gjerësisht në internet.

Pavarësisht kësaj, Japonia njihet për procedurat e kujdesshme të adoptimit të kafshëve shtëpiake. 

Shumë strehimore zhvillojnë intervista me personat që dëshirojnë të adoptojnë, duke kërkuar informacion mbi kushtet e banimit dhe mënyrën e jetesës, ndërsa në disa raste kryhen edhe vizita në banesë, për të siguruar se kafsha do të jetojë në një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurt.

Qëllimi i këtyre procedurave është të ulet numri i kafshëve që rikthehen në strehimore ose braktisen pas adoptimit. 

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve në Japoni theksojnë se adoptimi konsiderohet një angazhim afatgjatë dhe se pronarët duhet të jenë të përgatitur,  për t’u kujdesur për kafshën gjatë gjithë jetës së saj.

Gjurmët e putrës në dokumente nuk kanë një vlerë juridike dhe nuk zëvendësojnë nënshkrimin e adoptuesit. 

Ato përfaqësojnë thjesht një gjest simbolik, i cili ka fituar popullaritet për shkak të karakterit emocional dhe origjinal.

Disa strehimore japoneze zgjedhin ta shënojnë momentin e adoptimit me një gjurmë simbolike të putrës së maces, si një mënyrë për të festuar fillimin e një lidhjeje të re mes kafshës dhe familjes së saj. //a.i/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›