E Diel, 1 Nëntor 2026

Në akuzë për trafik kokaine, SPAK dërgon për gjykim 2 të pandehur

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e të pandehurve, Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku.

Sipas SPAK ata akuzohen për kryerjen e veprave penale: “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

“Procedimi penal nisi mbështetur në kërkesën e autoriteteve gjyqësore italiane, konkretisht Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Firences, Drejtoria e Distriktit Antimafia në lidhje me një procedim penal (nr.9740/21 RGNR mod.21). Sipas kërkesës, kjo prokurori po hetonte për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë, aktivitet që drejtohej nga një grup kriminal, ku bënin pjesë edhe shtetas shqiptarë, të cilët vepronin në Shqipëri (Durrës, Tiranë), Amerikën Latine (Ekuador dhe Panama), Itali (provinca e Pizës, Piemontes dhe Trevizos)”, njoftoi SPAK.

SPAK bëri të ditur se “procedimi penal në Itali nisi pas një kontrolli të kryer nga Guardia di Finanza i Livornos, në periudhën 7-9 mars 2021, gjatë të cilës u identifikuan shtetas me origjinë shqiptarë, të kapur në flagrancë gjatë operacioneve për nxjerrjen e një ngarkese kokaine të ardhur nga Amerika Latine, në portin e afërt të Labronikos (Livorno)”.

“Përmes veprimeve të fshehta me mjete teknike (pergjimeve telefonike dhe ambientale dhe gjurmimit gjeografik GPS), si dhe hetimeve tradicionale (vëzhgimeve, kontrolleve, ndjekjes, rregjistrimeve video, monitorimit të mjeteve të transportit dhe shkëmbimeve të informacioneve) – u bë e mundur identifikimi i veprimtarisë kriminale të grupit dhe personave të përfshirë.

“Hetimet në Itali u kryen në kuadët të Skuadrës së Përbashkët Hetimore dhe verifikimeve, vëzhgimeve, përgjimeve të përsonave të përfshirë në këtë veprimtari, të cilit hynin dhe dilnin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga këto hetime u mblodhën prova që vërtetonin ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal, qëllimi i të cilit ishte importi dhe shpërndarja e kokainës në tregun italian”, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK anëtarë të grupit janë shtetasit shqiptarë dhe italianë: Albert Turja, Roland Turja, Alfred Veshti, Klodian Veshti, Maksim Ndoci, Luca Koci, Aurel Zhupa, Ionut Pislariu, Errico D’Ambrosio, Vincenzo Di Corso, Mario Spiritoso, Fabio Consale.

“Ata kishin organizuar një strukturë kriminale duke marrë ngarkesa të konsiderueshme kokaine në portin e Livornos, të cilat vinin nga porti i Guayaquilit në Ekuador. Ndërsa sasia blihej në Kolumbi dhe ishte destinuar për anëtarë të grupeve të shumta kriminale, me anëtarë,  kryesisht shqiptarë, rumunë dhe italianë”, njoftoi SPAK.

SPAK gjithashtu evidentoi edhe episodet e sekuestrimit të lëndës narkotike.

Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar, SPAK bëri të ditur se autoritetet italiane kanë kërkuar ndjekjen penale në Shqipëri për shtetasit Maksim Ndoci dhe Juljan Kollçaku, për të cilët çështja është dërguar për gjykim më 8 janar.

“Për të pandehurin Maksim Ndoci, provohet përfshirja në rikuperimin e mbi 140 kg kokainë neto, të sekuestruar më 2.3.2022 në portin e Livornos, si dhe roli i tij i rëndësishëm në rekuperimin e një sasie prej rreth 120 kg kokainë bruto, të ardhur nga Ekuadori më 11.1.2022.

“Për të pandehurin Juljan Kollçaku, provohet përfshirja në trafikimin e mbi 489 kg kokainë bruto, të ardhur në portin e Livornos më 14.3.2022, e sekuestruar më 5.4.2022 në Frattamaggiore (Napoli), si dhe në importimin e një sasie prej 32 kg kokainë, nga e cila u sekuestruan mbi 4 kg neto më 30.6.2022 në Ostia”, njoftoi SPAK.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›