Në arrest shtëpie për aferën “Partizani”- Berisha ndryshon avokaten, kërkon aktet hetimore

Ish -kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie për shkak të aferës së privatizimit të ish-sport klub “Partizani”, ka kërkuar të njihet me aktet hetimore të periudhës 2 mujore.
Në seancën e sotme në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-kryeministri Sali Berisha përfaqësohet nga një tjetër avokate, Klodjana Gjyzari.
Ndërkaq, seanca në GJKKO u shty një javë më parë pasi avokatët mbrojtës nuk arritën të merrnin 12 fashikujt hetimorë kundrejt pagesës siç kërkoi SPAK.
Pak ditë më parë Gjykata e Lartë la në fuqi masën “arrest shtëpie” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Gjyqtarët vendosën të rrëzonin kërkesën e Berishës dhe Malltezi për zëvendësim dhe revokim të masës së sigurisë.
Berisha dhe Malltezi janë nën hetim në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, ku ish-kryeministri ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa ka bërë kërkesa të shumta për ndryshim mase sigurie, por që janë refuzuar deri më tani nga gjykata.
/rtsh.al/