E Diel, 1 Nëntor 2026

Në fshatin Vendreshë e vogël, mes qershive dhe mikpritjes së Skraparit

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Sapo lë pas Çorovodën në rrugën nacionale, me male përreth e Tomorin madhështor në njërën anë, syri të zë disa fshatra malorë të krahinës së Skraparit. Për udhëtarët është e vështirë t’i dallojnë, por secili prej këtyre fshatrave ka histori, trashëgimi kulturore dhe shumë mikpritje, siç do e mësonin shumë shpejt ndërsa i drejtohemi Vendreshës së Vogël.

E verdha e gjineshtrave të lulëzuara në kulmin e tyre (zani siç njihet nga banorët) dallohet në çdo shpat e rrugë, ndërsa gjelbërimin nuk e ka topitur asfare vapa që ka nisur tashmë.

Nga rruga, shpati i malit duket i pjerrët dhe i mbuluar aq fort nga pemët dhe shkurret, sa të krijohet përshtypja se nuk mund të ketë shtigje deri atje. Por, në të vërtetë rruga është e shtruar deri pothuajse afër fshatit dhe më pas për 5 minuta arrin edhe në lagjet e brendshme.

Uji i përroit të Vendreshës që rrjedh nga shpatet e Vendreshës 3 (e Malit) mban të gjelbëruar gjithçka, lule, fruta pylli, pemë frutore, shkurre, arat me misër e grurë, me patate e fasule.

Zona e Vendreshës historikisht është ndarë në tri qendra kryesore sipas pozicionit: Vendreshë e Madhe 1, Vendreshë e Vogël 2 dhe Vendreshë e Malit 3.

I afrohemi shtëpisë së Astrit Kuçit që ka hapur për ne jo vetëm dyert e banesës, por edhe shpirtin e bujarisë së Skraparit. Pas portës së jashtme oborri i sistemuar me lule, trëndafila ngjyra-ngjyra e mure guri, ndërsa pemët e qershisë janë të parat që rrëmbejnë vëmendjen me të kuqen rubi të kokrrave ndërsa dielli përkëdhel gjethet e gjelbra.

Aroma e pastërtisë ndihet në ajër, ndërsa gjithçka shkëlqen ashtu si edhe fytyra e Astritit dhe Teftës ndërsa presin mysafirë.

Pak raki qershie e ruajtur me vite është gostitje sipas traditës, bashkë me karamelet dhe llokumet, edhe pse familja tashmë jeton pjesën më të madhe të vitit në Durrës, sikundër edhe shumë familje të tjera të fshatit dhe zonës. Me lëvizjet e forta demografike, popullsia që qëndron ende në fshat është rrudhur shumë, mund të numërohen 7 familje që jetojnë aty gjithë vitin, nga 70, mirëpo banorët nuk i kanë shkëputur lidhjet dhe as shpresën që një ditë do të rikthehen.

Siç na tregon Astriti, bashkë me gruan vijnë e kujdesen për shtëpinë që e kanë meremetuar dhe e kanë pajisur me të gjitha kushtet për të jetuar normalisht muajt e verës.

“E shikoni tani, – na tregon Tefta, – por kur erdhëm para disa javësh ishte e mbuluar nga bari e ferrat”. Përkujdesi dallon edhe në shtëpitë e tjera të fshatit nga çatitë e reja, rrugicat e mbushura me lule, kopshtet e punuara.

Shtëpia mban me krenari tabelën që përkujton historinë.

“Shtëpia e Abaz Zenel Kuçit ka qenë bazë e rëndësishme e Luftës Nacionalçlirimtare”, thuhet në tabelë. Djali i vetëm i familjes, Abi, mban emrin e gjyshit.

Zona e Vendreshës tashmë ka rënie të ndjeshme të popullsisë nga largimet jashtë vendit dhe drejt qyteteve të mëdha apo edhe drejt kryeqytetit. Ata që kanë mbetur ende në fshat janë kryesisht pensionistë, pasi të rinjtë kanë ikur për t’u shkolluar dhe kanë mbetur në qytet.

Zona, dikur kooperativë, pas ndryshimit të sistemit u mbajt me bujqësi dhe blegtori, por tashmë aktivitetet kryesore janë pemëtaria, produktet artizanale apo edhe blegtoria malore, pasi Skrapari njihet për djathin e mirë të deleve dhe dhive.

Po ashtu, banorët punëtorë të këtyre anëve nuk i janë ndarë vreshtarisë, diçka që dëshmohet qartësisht nga parcelat e vogla të mbjella, për aq sa lejon terreni. Prodhimi artizanal i rakisë është një burim të ardhurash për banorët, ndërsa nga ana tjetër ruan, si të thuash, edhe një pjesë trashëgimie të zonës.

Vendresha është plot me pemë frutore: qershi, dardhë, mollë të egra, thana, arra, ftonj. Të gjitha këto duan punë dhe përkushtim, por nuk sigurojnë më të ardhura përveçse për konsum familjar, pasi kërkojnë më shumë shpenzime sesa sjellin fitim.

Qershitë në oborrin e Astritit do të kalben në degë apo do t’i hanë zogjtë, pasi nuk mund të mblidhen të gjitha.

Kjo verë ishte e veçantë për ta. Mysafirët nga Tirana ishin të lirë të mblidhnin qershi me dorën e tyre dhe t’i merrnin me vete, punë që dhuroi kënaqësi të pafundme për të gjithë. Shumë pak prej nesh kishin vjelë qershi e sidomos në një oborr copëz parajse mes maleve, me Tomorin që përshëndeste nga përballë.

Dreka i mblodhi të gjithë pranë shtëpisë me produkte bio që nuk gjenden më në qytete. Përshesh, mish qengji në hell, fasule të kuqe, gjalpë artizanal, bukë furre, byrek me lakra, gjithçka shtëpie.

“Përse nuk mendoni të ngrini një bujtinë”, i them Astritit. Gjithë zona nuk ka një të tillë, vetëm në rrugën nacionale pamë tabelat e disa prej tyre. Por shtëpia ka të gjithë gjërat që nevojiten për këtë aktivitet. “Duhen njerëz”, më thotë, duke ngritur supet, sepse të dy burrë e grua tashmë janë të moshuar dhe nuk e marrin dot përsipër ngarkesën e madhe.

Por asnjëherë nuk i dihet. Mbase kjo ftesë për mysafirët nga Tirana mund të kthehet në ide biznesi me ture ditore apo dyditore për një eksperiencë autentike në fshat. Dhe çfarë fshati! Panorama përrallore, ajër i pastër, bollëk me fruta për çdo stinë dhe mikpritje tradicionale.

Për më tepër afërsia e fshatit me destinacione shumë të njohura si mali i Tomorit apo kanionet e Osumit, e bëjnë atë ideal për të bujtur.

Nuk duam të largohemi nga shtëpia e Astritit dhe Teftës. Të dy na përcjellin të prekur, ndoshta po aq sa na dhuruan, edhe morën dashurinë tonë.

Fshati Vëndreshë e Vogël Skrapar, foto: ATSH 1 nga 34

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›