E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Paketa e Maleve, mundësi pronarëve të tokave të trashëguara dhe emigrantëve të investojnë në agroturizëm e ferma

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Paketa e Maleve synon të zgjidhë problematika të trashëguara të pronësisë në zonat malore dhe të krijojë mundësi të reja zhvillimi ekonomik për banorët dhe emigrantët që duan të investojnë në vendlindjen e tyre.

Rama tha se ata që kanë trashëguar toka në Shqipërinë malore duhet të kenë mundësi t’i gëzojnë dhe t’i zhvillojnë ato përmes aktiviteteve ekonomike.

“Po me Paketën e Maleve ç’kanë Flamingot e Bulevardit apo edhe ata që kanë tokat e trashëguara në Shqipërinë malore nuk duhet ta gëzojnë pronën e tyre, duke zhvilluar një agroturizëm, një punishte agropërpunimi, një fermë?!”, u shpreh Rama në një reagim në rrjetin social “facebook”.

Kryeministri tha se shumë banorë të zonave malore nuk kanë mundësi të përfitojnë nga mbështetja financiare për shkak të problemeve me dokumentacionin e pronësisë.

“Sot, ata nuk marrin çertifikatë me 7501-shin, se e kanë ndarë mesveti tokën sipas kufijve të vjetër dhe nuk e kanë pranuar asnjëherë 7501-shin, po duke mos pasur çertifikatë s’marrin dot as leje, as subvencione nga shteti, as financime nga fondet e BE-së, as kredi nga bankat”, tha Rama.

Sipas tij, Paketa e Maleve synon të mbyllë këtë boshllëk ligjor dhe të nxisë investimet në zonat malore.

“Ndërsa Paketa e Maleve, e cila është zgjidhje e formësuar në vite që ka mbështetjen e tyre dhe po tërheq mijëra emigrantë për të investuar në tokën e tyre, mbyll boshllëkun ligjor, hap rrugën e futjes së kursimeve të emigrantëve në Shqipërinë malore dhe fut malet në ekonominë tonë përmes zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit”, deklaroi Rama.

Duke iu referuar debatit mbi zonat e mbrojtura, Rama tha se shpesh krijohet perceptimi i gabuar se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës janë procese të papajtueshme.

“Ah, zonat e mbrojtura, natyra, po, natyra, pemët dhe shqiponjat që do t’i shpëtojë revolucioni imagjinar, duke anulluar Paketën e Maleve. Po Austria?”, tha ai.

Rama theksoi se zonat e mbrojtura kanë kategori dhe nivele të ndryshme mbrojtjeje.

“Kur flitet për zhvillimin në zonat e mbrojtura, shpesh krijohet përshtypja sikur zgjedhja është e prerë me thikë. Ose natyrë. Ose zhvillim. Po në fakt, zonat e mbrojtura ndahen me kategori të ndryshme dhe kanë nivele të ndryshme mbrojtjeje, nga kategoria I ku ndërtimi përjashtohet totalisht tek për shembull kategoria V, si në pjesën gadishullore të Zvërnecit, ku qysh nga ligji i 2017-ës është e qartë se mund të ndërtohet me kushte të caktuara”, tha ai.

Kryeministri solli si shembull modelin austriak të zhvillimit të turizmit në zonat malore.

“Alpet Austriake janë ndër peizazhet më të mbrojtura dhe më të qendisura në Europë. Brenda dhe përreth zonave të mbrojtura përgjatë tyre gjenden qindra fshatra alpine, hotele, resorte, teleferikë, qendra skijimi, shtigje turistike dhe infrastrukturë moderne që tërheqin miliona vizitorë çdo vit. Rajone si Tiroli apo destinacione si Kitzbühel janë kthyer kaherë në marka globale të turizmit malor”, tha Rama.

Sipas tij, zhvillimi turistik në Austri nuk ka ardhur në dëm të natyrës.

“Megjithatë, askush nuk e thotë dot kurrë se Austria sakrifikoi Alpet për turizmin. Përkundrazi. Austria ndërtoi turizmin për Alpet. Ata njerëz të mençuar e kuptuan nga të parët se peizazhi nuk ishte pengesë për zhvillimin, po ishte vetë themeli i zhvillimit”, u shpreh ai.

Rama shtoi se modeli austriak nuk ka qenë ndalimi i zhvillimit, por zhvillimi i kontrolluar dhe cilësor.

“Prandaj modeli austriak nuk ishte kurrë: ‘Mos ndërtoni asgjë’. Por ishte: ‘Ndërtoni me kujdes. Ndërtoni me cilësi. Ndërtoni aty ku duhet. Mbroni atë që është e pazëvendësueshme’”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se sot turizmi përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë austriake.

“Sot turizmi gjeneron miliarda euro çdo vit për ekonominë austriake dhe mbështet qindra mijëra vende pune, ndërsa Austria mbetet një nga vendet me standardet më të larta të mbrojtjes së natyrës në Europë”, tha Rama.

Ai theksoi se sfida nuk është zgjedhja mes natyrës dhe zhvillimit, por gjetja e mënyrës për t’i harmonizuar ato.

“Pyetja nuk është nëse natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin, dijen dhe disiplinën për t’i bërë ata aleatë të njëri-tjetrit, duke rritur qëndrueshmërinë mjedisore të vendit dhe ekonominë shqiptare falë një turizmi cilësor me të ardhura të larta”, tha Rama.

Sipas tij, mbrojtja e natyrës realizohet duke e kthyer atë në një aset të zhvillimit ekonomik.

“Sepse kur natyra trajtohet si pasuria më e madhe e një vendi, ajo nuk mbrohet duke e izoluar nga ekonomia, po duke e kthyer në zemrën e ekonomisë”, u shpreh ai.

Rama ritheksoi mbështetjen për projektet zhvilluese që, sipas tij, do të çojnë Shqipërinë drejt një niveli më të lartë në turizëm.

“Prandaj, e përsëris: budallallëku që e ka mbajtur Shqipërinë peng 100 vjet, s’ka për ta ndalur dot të vazhdojë rrugën e nisur për ta futur këtë vend në ligën e kampionëve të turizmit botëror”, tha Rama.

1 nga 9

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›