Në kërkim ndërkombëtar për korrupsion, ekstradohet nga Zimbabve 42 vjeçari

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije, se sot është ekstraduar në Shqipëri, shtetasi Loran Dusha 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi u lokalizua dhe u kap në Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se operacioni “Wanted” u finalizua dalë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare.
Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera”, thuhet në njoftim.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që fshihen jashtë vendit, me qëllim shmangien nga drejtësia.
/e.i/j.p/