Në kërkim nga Italia, arrestohet 36-vjeçari në Durrës

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Një 36-vjeçar është arrestuar nga policia në Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Policia njoftoi sot se “në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 52””.
“Si rezultat, në qytetin e Durrësit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi F. B., alias B. B., 36 vjeç, banues në Durrës”,
Sipas policisë “ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në kuadër të organizatës kriminale””.
Sipas legjislacionit penal italian, kjo vepër parashikon dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.
Vijon bashkëpunimi ndërinstitucional për përfundimin e procedurave të ekstradimit të 36-vjeçarit në vendin fqinj.
/m.q//a.f//r.e/