Dumani: Përpjekjet për cenimin e pavarësisë funksionale rrezikojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Drejtuesi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ishte sot pjesë e tryezës së diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.
Dumani tha se “gjetjet mbi pavarësinë e SPAK përbëjnë një vlerësim inkurajues. Ky është një tregues se themelet institucionale të pavarësisë janë ndërtuar dhe konsoliduar mirë, por gjithashtu e ka hapësira për përmirësim”.
Dumani shtoi më tej se “edhe në vlerësimin tonë korniza kushtetuese dhe ligjore aktuale garanton pavarësinë e SPAK, ushtrimin në mënyrë të pavarur të funksioneve kushtetuese dhe ligjore të prokurorëve të posaçëm. Gjithashtu edhe sa i takon pavarësisë së brendshme prokurorët ushtrojnë në mënyrë të pavarur funksionet e tyre, janë ata përgjegjës për hartimin e çështjeve që iu bien me short apo iu caktohen nga ana e drejtuesit të SPAK”.
Dumani tha më tej se “dokumenti ka nënvizuar se statusi i Prokurorit pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore”.
“Në raportimet periodike që kemi bërë në Kuvend dhe KLP e kemi ngritur këtë shqetësim dhe vlerësoj se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje, cilado qoftë ajo. Vlerësoj marrjen në konsideratë të rolit të mbledhjes së prokurorëve në vendimmarrjen institucionale të SPAK”, u shpreh Dumani.
Duke u ndalur te komentet për llogaridhënien e jashtme, Dumani tha se “sa i takon veprimtarisë procedurale çdo veprim i prokurorëve të SPAK kontrollohet nga gjykatat”.
Dumani theksoi se SPAK ka nevojë për përmirësime dhe se rekomandimet janë reflektuar vit pas viti.
“Sa i takon kontrollit, raportet para KLP-së dhe Kuvendit janë sipas parashikimeve ligjore. A ka nevojë për përmirësim? Patjetër që ka nevojë për përmirësim dhe ne e kemi reflektuar këtë vit pas viti. Jemi të hapur dhe mirëpresim rekomandime si mund ta përmirësojmë këtë raportim. Ne përpiqemi t’i përmbahemi parashikimeve ligjore”, tha Dumani.
Dumani shtoi se “sa i takon llogaridhënies do përmendja marrëdhënien me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë që është një marrëdhënie institucionale”.
Dumani tha se për SPAK nga ILD janë trajtuar 61 raste me vendime përfundimtare.
“ILD ka ushtruar tre kontrolle tematike në SPAK dhe ka dalë me rekomandime konkrete. Ne si institucion kemi përmirësuar praktikën tonë duke u bazuar në rekomandimet e ILD-së. Në dijeninë time për SPAK janë trajtuar nga ILD 61 raste me vendime përfundimtare çka tregon se prokurorët e SPAK japin llogari edhe tek ILD, kuptohet duke respektuar kornizat ligjore dhe kushtetuese”, tha Dumani.
Dumani shtoi gjithashtu se “KLP ka qenë një institucion në mbështetje të SPAK”.
“Sa i takon rekomandimeve, sepse raportojmë në Kuvend dua të nënvizoj se çdo rekomandim të Kuvendit jemi përpjekur ta trajtojmë, po të shikoni raportet do të gjeni dhe një shpjegim sesi janë përmbushur rekomandimet e kuvendit apo të Këshillit të Ministrave”, tha Dumani.
Dumani u shpreh më tej se “ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të zhbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb nuk kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve të pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi duhet të kufizojë ndikimin në sfera administrative, është e drejtë”, tha Dumani.
/m.q//r.e/