Në kërkim nga Italia për trafik narkotikësh, arrestohet 19-vjeçari në Fier

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Një 19-vjeçar u arrestua në Fier me qëllim ekstradimi drejt Italisë pasi akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Policia njoftoi sot se në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh finalizuan operacionin e radhës, të koduar “Operacionalja 59”.
“Gjatë këtij operacioni, u kap në Fier dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Z. Z., 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Cukalat, Berat”, njoftoi policia.
Sipas policisë ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Riminit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për pjesëmarrje në organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim.
Interpol Tirana vijon procedurat, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.
/m.q/j.p/