E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në kërkim nga SPAK për vrasje, arrestohet Aldo Avdylaj, fshihej në një apartament në Tiranë

Reparti elitë RENEA, Forca e Posaçme Operacionale dhe policia e Durrësit bënë të mundur arrestimin në Tiranë të Aldo Avdylajt, nipit të Astrit Avdylajt.

I konsideruar person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, 37-vjeçari nga Shijaku, i akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal për krime kundër personit, ishte fshehur në një apartament te zona e Liqenit të Thatë në kryeqytet.

Gjatë ndërhyrjes së efektivëve blu në banesën ku fshihej Aldo Avdylaj, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Ai akuzohet nga GjKKO-ja, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Aldo Avdylaj akuzohet se ka organizuar dhe bashkëdrejtuar grupin me Astrit Avdylajn për vrasjen e Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës.

Aldo Avdylaj arriti që ti fshihej policisë pak ditë, pasi u shpall në kërkim pas operacionit të ndërmarrë nga uniformat blu më 2 tetor, ku u godit grupi i Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijakut) dhe i Astrit Avdylajt.

Kujtojmë se dy javë më parë SPAK ndërmori një aksion të gjerë në qytetin e Durrësit dhe zonën përreth, duke lëshuar 9 masa sigurie në luftën ndaj tjetërsimit të paligjshëm të pronave në Gjirin e Lalëzit, katër prej të cilëve u arrestuan, ndërsa u shpallën në kërkim 4 persona: Elidon Avdylaj ose Aldo Abdylaj, Aleksandër Laho, Alfred Doka dhe shtetasi me iniciale A.B.

Më 18 nëntor 2022, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestron preventiv mbi 203,100 metra katrorë tokë në Shetaj (Gjiri i Lalëzit), si pjesë e hetimeve për falsifikim dhe regjistrim të paligjshëm të pronave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›