Në kërkim për kultivim narkotikësh, arrestohet 27-vjeçari në Vaun e Dejës

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Një 27-vjeçar u arrestua sot nga Policia pasi ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i kultivimit të 180 bimëve narkotike kanabis sativa në fshatin Mnelë.
Policia bëri të ditur se “në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën dhe ndaluan shtetasin P. N., 27 vjeç”.
Sipas Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet e kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se një bashkëpunim me një 17-vjeçar, kanë kultivuar 180 bimë të dyshuara narkotike kanabis Sativa, në fshatin Mnelë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin qershor. Punohet për kapjen e 17-vjeçarit”.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia njoftoi se u krye kontroll në banesën e shtetasit Z. N., 62 vjeç, babai i shtetasit të arrestuar, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që 62-vjeçari e mbante pa leje.
“U referuan materialet procedurale në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 62-vjeçarin”, njoftoi Policia.
/m.q/