E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Në kohë reale” – “Thikat e mprehura” shënuan 3 viktima në një ditë. Eksperti: Pasqyrë e krizës sociale e familjare. Analisti: S’ka masat për parandalimin e tyre

E marta e 28 tetorit shënoi një “ditë të zezë” për shoqërinë shqiptare, ku tre persona humbën jetën në ngjarje të ndryshme kriminale. Motivi: të gjitha nisën për arsye banale, si për një copë proshutë, për një foto, apo për një fjalë të thënë më shumë.

“E marta e zezë” ishte në fokus të analistëve dhe ekspertëve të krimeve në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, ku fokusi kryesor u vu te kriza që po kalon familja dhe shoqëria shqiptare, por edhe te masat dhe strategjia e munguar nga instancat shtetërore për të parandaluar raste të tilla.

Sipas ekspertit të krimeve, Gjergj Nikolla, këto ngjarje nuk janë një problem drejtësie apo policie, por një problem social dhe se një pjesë e madhe e problemit qëndron në kulturën e përdorimit të dhunës për të zgjidhur problemet.

“Ky nuk është problem drejtësie apo policie, por është problem social. Vetë shoqëria është në krizë, dhe familja gjithashtu. Nuk është problem i policisë, sepse këto janë krime që ndodhin në çast. Ne kemi një nga ligjet më të ashpra në botë për të gjitha krimet, por kjo nuk arrin të parandalojë krimin. Është e pamundur që të vësh një polic për çdo person. Këto janë konflikte banale që ndodhin në momente, dhe problemi është vetë shoqëria. Pse duhet ta mbash thikën me vete?”, u shpreh Nikolla

Edhe gazetari Dritan Laçi thekson se këto ngjarje kërkojnë një analizë të thellë psiko-analitike të autorëve. Ai argumenton se autorët e tillë shpesh janë individë me probleme të thella psikologjike dhe që kanë kaluar periudha të vështira në jetën e tyre, duke u ndjerë të izoluar dhe të mënjanuar nga shoqëria.

“Kjo kërkon një profil psiko-analitik të autorit, dhe ky nuk është rasti i parë që ndodh të paktën nëpër lokale. Autori ka një tjetër vepër penale, që mbante armë të ftohta pa leje, dhe mënyra se si e godet pas shpinës në qafë duket si e sprovuar. Duket sikur ka pasur një largim nga rrethit të ngushtë familjar, që e ka çuar drejt një natyre të mbyllur që nuk është kuptuar nga të tjerët. Në këto shërbime ka një mungesë të theksuar të personave të kualifikuar, dhe kjo ka ulur kriteret e kualifikimit”, tha Laçi.

Gazetari Aulon Kalaja thekson të njëjtën gjë, duke shtuar se përdorimi i thikës dhe dhuna që shoqëronte këto ngjarje është një tregues i shqetësimeve më të thella në shoqëri. Sipas tij, në Shqipëri nuk ka pasur asnjë reflektim të duhur për ngjarje të tilla dhe se nuk ka një strategji të mirëfilltë për parandalimin e krimeve të dhunshme.

“Unë rastësisht ndodha atje pasi kishte ndodhur krimi. Më vonë kuptova që kishte ndodhur vrasja. Këto ngjarje janë tronditëse, por më sa duket në Shqipëri përdoren më kollaj thika sesa fjalët. E dyta është se populli është i armatosur. Në Shqipëri nuk ka dorëheqje dhe reflektime për ngjarje të tilla tronditëse. Dorëheqja e ministres duhet të kishte ndodhur për një çështje etike. Duhet rregulluar rendi, duhet investuar për parandalimin e krimit. A ka strategji konkrete për parandalimin e krimeve të tilla? Pyetja është: a i kemi në rregull instancat shtetërore, pastaj të flasim për shoqërinë? Policia ka referenca për personat me probleme të shëndetit mendor?”, u shpreh Kalaja.

Analisti Ermal Hasimja thekson se nuk ka pasur masa të mjaftueshme për parandalimin e këtyre ngjarjeve.

“Është tronditëse se ka pasur një seri ngjarjesh dhe kjo tregon një situatë problematike. Jo vetëm që ndodhin, por krijohet përshtypja se nuk po merren masa për parandalimin e tyre. Çështja që ndihet është: çfarë bën policia? Para 7 vitesh më kërcënuan në Facebook se do të më vrisnin dhe ishte lehtësisht i identifikueshëm. Shkova në polici dhe pas tre javësh ende nuk e kishin zgjidhur problemin. Merreshin me burokraci dhe pas tre javësh problemi u zgjidh, sepse ai më tha: “Më fal, lali, të kam ngatërruar emrin.” Policia nuk shkoi kurrë të kapte personin dhe ta pyeste pse e bëri këtë”, tha Hasimja.

Të vritesh për një copë proshutë! Gazetarja në vendngjarje një ditë pas krimit në lokalin në Tiranë

(Kuzhina e lokalit ku ndodhi krimi)

Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal të njohur, ku kuzhinieri 34-vjeçar, Indrit Ismailari, u vra me thikë nga kolegu i tij, Filip Shehu, një picier 41-vjeçar, për shkak të një konflikti që ka shpërthyer në momentin më të papritur. Ngjarja ndodhi për një mosmarrëveshje mbi një pako proshutë, që dyshohet se ishte shkaku i fillimit të një grindjeje të shpejtë, që pasoi me një sulm brutal.

Sipas gazetares Bleona Prengzaj nga hetimet paraprake, kuzhinieri Ismailari kërkoi nga picieri Shehu që të mos merrte një pako proshutë të hapur, por të merrte një tjetër pako, çka bëri që tensionet të shpërthenin dhe të çonin në një përplasje fizike. Tri goditjet me thikë, një nga të cilat në qafë, rezultoi fatale për viktimën pasi i ishte prerë arteria kryesore. Pas kësaj, ishin edhe dy goditje të tjera që i morën jetën.

Autori i krimit, Filip Shehu, ka pohuar gjatë hetimeve se ishte ndjerë i ofenduar dhe ka deklaruar se kishte pasur konflikte të vazhdueshme me Ismailarin. Sipas autorit, ai ka qenë i bullizuar prej kohësh nga viktima. Ai gjithashtu ka qenë një person i hetuar edhe më herët për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”

Megjithatë, kolegët e tij të tjerë në lokal kanë hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se Ismailari ka qenë gjithmonë një person i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë histori bullizimi.

Pas arrestimit të tij, është sekuestruar thika e krimit dhe autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.  

Krimi në familje në Durrës, djali vrau me thikë të atin teksa ishin duke drekuar

Një tjetër vrasje që tronditi vendin ishte edhe krimi në familje, ku djali qëlloi me thikë për vdekje babain e tij teksa ishin duke ngrënë drekën.

Gazetarja e RTSH-së, Albana Qirjazi, raportoi edhe situatën nga banesa ku ndodhi krimi një ditë më parë e cila qëndron e mbyllur, pasi familjarët kanë shkuar për të varrosur Pjetër Kodhelin në Mirditë, nga kishte edhe origjinën.

Gazetarja sqaron se Mariani nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se ai ka deklaruar para hetuesve se “babai më ngacmonte dhe kjo ka qenë arsyeja pse e vrau me thikë”. Ai thotë se kanë pasur konflikte të vazhdueshme dhe ka qenë i bezdisur nga situata.

“Sipas të dhënave nga familjarët dhe dëshmitarët, Mariani, një djalë i papunë, kishte disa muaj që ishte kthyer nga Greqia. Mëngjesin e ditës së djeshme, pas një drekë me hallat e tij, babai e kishte thirrur për të ngrënë, ndërsa nëna kishte dalë për të punuar me bagëtitë. Pas disa minutash, nëna ka dëgjuar një zhurmë dhe ka hyrë në shtëpi, ku ka gjetur Marianin dhe Pjetrin duke u përleshur. Ajo ka njoftuar menjëherë policinë, ndërkohë që djali ka ikur nga vendi i ngjarjes”, raporton gazetarja.

Pasi u shpall në kërkim, Mariani u gjet pas dy orësh në shtëpinë e tezës së tij. Në momentin e ndalimit, ai ka pranuar krimin dhe ka dhënë një version të qartë për motivin e vrasjes.

“Mos ma prek kalin!” Shkaku banal që i mori jetën 42-vjeçarit në Berat. Autori me precedent penal

Berati u trondit gjithashtu nga një vrasje me motive banale. 42-vjeçari Keli Hoxha, u vra me thikë pas shpine në sy të familjes së tij, gjithçka pse fëmijët i kërkuan të bënin një foto me kalin brenda Kalasë së Beratit.

Kur 42-vjeçari iu afrua kalit për të bërë një foto, ai u refuzua nga Kristo Mema, i cili kërkoi që të largohej nga kafsha duke thënë “mos ma prek kalin”. Kjo ka krijuar një moment tensioni, ku Mema ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar pas shpine Keli Hoxhën.

Kristo Mema, ishte i njohur për sjellje konfliktuale ndaj turistëve dhe banorëve të zonës. Sipas dëshmive të banorëve, ai është përfshirë në përplasje edhe me efektivët e policisë, pasi punonte si guidë për turistët pa dokumentacionin e nevojshëm. Pas krimit, Mema është larguar dhe është fshehur në “Shpellën e Memecit”, derisa është arrestuar nga policia pas 6 orësh.

Sipas të ftuarve në emisioni “Në kohë reale”, këto ngjarje janë një pasqyrë e krizës sociale dhe emocionale që po kalon shoqëria.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›