E Diel, 1 Nëntor 2026

Në orën 12:00 nënshkrimi i marrëveshjes Izrael-Hamas për armëpushim në Gaza, Trump: Pengjet do të kthehen të hënën

Pas më shumë se dy vitesh luftë, Izraeli dhe Hamasi njoftuan në orët e para të mëngjesit të sotëm se kishin arritur një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës, si pjesë e një plani të propozuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe që synonte paqen “e qëndrueshme” në rajon.

Sipas Reuters, nënshkrimi  i marrëveshjes për të zbatuar fazën e parë të planit të paqes të Trump pritet të ndodhë në orën 12:00 (me kohën lokale).
Siç njoftoi “me krenari” republikani Donald Trump, nëpërmjet Truth Social, palët “pranuan fazën e parë” të planit të tij për Gazën.

“Kjo do të thotë që TË GJITHË pengjet do të lirohen shumë shpejt”, tha Trump.

Izraeli “do të tërheqë trupat e tij në një vijë të parashikuar në marrëveshje”, si pjesë e “hapave të parë drejt një paqeje të Fortë, të Qëndrueshme dhe të Përjetshme”, shtoi presidenti i SHBA-së.

Një burim nga Hamasi i tha AFP-së të hënën se gjatë fazës së parë të marrëveshjes do të lirohen menjëherë 20 pengje të mbetura të gjalla, në këmbim të lirimit të gati 2,000 të burgosurve palestinezë.

Shkëmbimi do të ndodhte brenda 72 orëve nga marrëveshja.

“Është një ditë e madhe për Izraelin”, tha  Benjamin Netanyahu, duke “falënderuar” Presidentin e SHBA-së Trump dhe duke njoftuar se do të thërriste një mbledhje të kabinetit më vonë gjatë ditës për të ratifikuar marrëveshjen.

“Me ndihmën e Zotit, ne do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi”, tha ai më parë në X, duke iu referuar pengjeve.

Trump, i cili shpreson të marrë Çmimin Nobel për Paqen, i cili do të jepet të premten, njoftoi më herët dje se mund të vizitojë Lindjen e Mesme në fund të javës.

Pengjet “do të kthehen të hënën”
Trump tha të mërkurën se beson që pengjet izraelite të mbetura në Rripin e Gazës do të “kthehen deri të hënën”, gjatë një interviste telefonike me Fox Neës, disa orë pas njoftimit të marrëveshjes.

“Mendoj se pengjet do të kthehen deri të hënën, që do të përfshijë edhe trupat e të vdekurve”, i tha presidenti amerikan rrjetit televiziv.

Nga 251 personat që u rrëmbyen në bastisjen e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, e cila shkaktoi luftën, 47 mbeten pengje në Rripin e Gazës, por 25 prej tyre janë shpallur të vdekur nga ushtria izraelite.

“Ne besojmë se Gaza do të bëhet një vend shumë më i sigurt, do të rindërtohet dhe vendet e tjera në rajon do të ndihmojnë në rindërtimin e saj, pasi ato kanë pasuri të madhe dhe duan që kjo të bëhet. Dhe ne (SHBA-të) do të marrim pjesë, për të ndihmuar dhe garantuar suksesin dhe për të ruajtur paqen”, tha gjithashtu Trump.

Ai tha gjithashtu se beson që Irani duhet të jetë “pjesë” e procesit të paqes, pa qenë më specifik.

“E gjithë bota mori pjesë në arritjen e kësaj marrëveshjeje. Kaq shumë vende që nuk mund t’i imagjinoni bënë gjithçka që ishte e nevojshme”, tha republikani.

“Është shumë mirë për Izraelin, për myslimanët, për vendet arabe, për SHBA-në”, vazhdoi ai, duke theksuar se kjo është “diçka më shumë se (paqja në) Gaza. Kjo është paqe në Lindjen e Mesme”./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›