“Në sofrën e hënës”, Rama promovon librin e ri: Mora shtysë nga disa miq myslimanë

Kryeministri Edi Rama ka promovuar librin e tij të rradhës, “Në sofrën e Hënës”.
Rama u shpreh se për të shkruar këtë libër, ka marrë shtysë nga disa miq myslimanë. Kreu i qeverisë nënvizoi se sofra e iftarit është një vend, që shkon përtej atyre që agjërojnë.
Sipas tij, bisedat që ka kryer në sofrat e iftarit, në cilësinë e kryeministrit, i ka përmbledhur në këtë libër. Rama vuri në dukje se fetë shërbejnë për të lidhur njerëzit dhe kulturat, duke shtuar se besimi islam ka luajtur rol të rëndësishëm në promovimin e paqes në shoqërinë tonë.
“Libri është një përmbledhje e mbrëmjeve të iftarit, që kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin t’i organizoj, në funksionin që kam, duke çelur një traditë, sa i përket funksionit tim, që shkon përtej atyre që agjërojnë. Sofra e Iftarit është përtej agjëruesve. Ka qenë shtysa e disa miqve myslimanë që asgjërojnë, që të përmblidhja këto fjalë në këtë libër. Unë doja që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste. Sofra e Iftarit na bën bashkë përtej vijave që na ndajnë në bulevard. Ka qenë shtysa e miqve myslimanë, që më ka nxitur që të hyj më thellë në kulturën e islamit. Ka një thesar kulturash që vijnë tek ne nga feja, që duhet të kenë adhurimin tonë. Nga detyra kam njohur profesorë të nderuar të fesë islame. Parathënien e ka shkruar ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe”, tha ndër të tjera Rama.