Negociatat me Iranin, Trump pozitiv: Teherani po flet me kuptim

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar nga Shtëpia e Bardhë se negociatat për t’i dhënë fund luftës me Iranin janë duke u zhvilluar. Ai u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve, duke thënë se “Irani po flet me kuptim” dhe se “jemi duke biseduar me njerëzit e duhur”.
Trump konfirmoi se në procesin e negociatave janë të përfshirë Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, si dhe Jared Kushner dhe i dërguari special Steve Witkoff. Megjithatë, mbetet e paqartë se me cilët përfaqësues iranianë po zhvillohen këto bisedime dhe cilat janë konkretisht kërkesat e SHBA-së.
Në fjalën e tij, Trump përsëriti se “lufta është e fituar” dhe se Irani ka pranuar të heqë dorë nga programi bërthamor. Ai shtoi se negociatat kanë sjellë një “dhuratë shumë të madhe” për SHBA-në, të lidhur me energjinë dhe ngushticën e Hormuzit, pa dhënë detaje të tjera.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur zyrtarët iranianë publikisht kanë mohuar çdo kontakt me SHBA-në, duke i cilësuar raportimet për bisedime si “lajme të rreme”. Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar, me sulme të reja mes Izraelit dhe Hezbollahut, si dhe goditje ndaj objektivave në Liban e Iran.
/rtsh.al/