E Hënë, 2 Nëntor 2026

Negociatat mes SHBA-së dhe Iranit pritet të rinisin më 11 korrik

Negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë planifikuar të rinisin më 11 korrik, menjëherë pas përfundimit të ceremonive të varrimit të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Lajmi është raportuar nga media saudite Al Arabiya, ku sipas burimeve, bisedimet e reja do të trajtojnë një sërë çështjesh të rëndësishme, duke përfshirë lehtësimin ose heqjen e sanksioneve ndaj Teheranit, çlirimin e fondeve iraniane të ngrira në banka të huaja, si dhe çështjet kyçe që lidhen me programin bërthamor iranian.

Takimi i fundit teknik indirekt midis palëve u zhvillua të mërkurën në Doha të Katarit. Presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi atë takim si “shumë të mirë”.

Ndërkohë, nga ana iraniane u tha se palët kishin rënë dakord për çlirimin e pjesshëm të miliarda dollarëve fonde të ngrira. Megjithatë, zyrtarët amerikanë e kanë mohuar që një marrëveshje e tillë të ishte arritur gjatë atij takimi.

Ky rund i ri negociatash vjen vetëm dy javë pas nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) midis dy vendeve. Ky memorandum u jep palëve një afat prej 60 ditësh për të arritur një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse mbi programin bërthamor të Iranit.

Takimet e fundit katërpalëshe, ku merrnin pjesë edhe Pakistani dhe Katari, u zhvilluan në Buergenstock Resort në Zvicër më 21 qershor, duke treguar një angazhim ndërkombëtar në përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›