Negociatat për kandidatin e Tiranës, Ilir Alimehmeti në RTSH 24: Po shqyrtohet mundësia më e mirë

Aleatët në kampin opozitar kanë nisur prej disa ditësh negociatat në lidhje me përzgjedhjen e kandidatit opozitar për bashkinë e kryeqytetit. Për Ilir Alimehmetin, gjetja e një emri duhet të lërë mënjanë ndasitë.
“… jodetyrimisht politike. Mund të jetë nga bota civile. Mund të jetë njeri i përfshirë në politikë në të kaluarën dhe pastaj për një periudhë të gjatë ka kaluar sërish jashtë politikës. Pra, jemi të hapur. E rëndësishme është të jetë konsensual,” deklaroi z. Alimehmeti në një intervistë për RTSH 24.
Të hapur ndaj partive aleate, forca më e madhe opozitare, Partia Demokratike, synon një figurë publike dhe jo domosdoshmërisht nga radhët e politikës.
“Përkarshi keqes më të madhe që ne kemi përballë, këto gjëra duhen harruar. Ne duhet të shkojmë drejt një pajtimi kombëtar në këtë drejtim. T’i lëmë gjërat e vogla, hatërmbetjet e vogla. Ato mund të jenë shumë të mëdha për aktorët përkatës, por përkarshi një të keqeje kaq të madhe ne duhet t’i lëmë pas dore këto gjëra dhe të shkojmë me një front të bashkuar. Këtu ndihmon absolutisht shumë emri i kandidatit, sepse janë zgjedhore vendore. Nuk janë zgjedhje parlamentare. Kjo është demokraci e drejtpërdrejtë. Pra, zgjedh direkt individin dhe individi ka një vlerë kyçe këtu, një vlerë qendrore. Pra, kush është kandidati në secilën bashki që do të zgjidhet,” theksoi z. Alimehmeti.
Ndërsa pritet dakordësia për një emër, si pjesë e grupit të ngritur për përzgjedhjen e kandidatit për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, z. Alimehmeti u ndal edhe te situata ku qeveria i kërkon kreut të shtetit dekretimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme bashkiake.
Në këtë kontekst, kur Erion Veliaj e ka ankimuar vendimin e shkarkimit në Gjykatën Kushtetuese, ai tha se tashmë ndodhemi në një përplasje mes Kryeministrit, Presidencës dhe Gjykatës Kushtetuese.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/