E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nëna e Ajola Xoxës në SPAK, pyetet për origjinën e vilës në Qerret

Nëna e Ajola Xoxës, Valbona Xoxa, u paraqit në SPAK paraditen e kësaj të mërkure.

Sipas burimeve, Valbona Xoxa, vjehrra e kryebashkiakut Erion Veliaj, u pyet si person në dijeni për momentet në të cilat përmendet emri i saj në dosjen e SPAK.

Ajo ka dëshmuar për origjinën e vilës në Qerret, si dhe për transaksionet e kryera me kompaninë “Ava Studio”, ku administratore ishte vetë Valbona Xoxa. Njëherësh, kjo e fundit në dosje rezulton se ka përdorur kartën e saj bankare edhe për blerjet online të së bijës, Ajola Xoxa.

Bashkëshortja e Erion Veliajt dyshohet se ka kryer korrupsion në bashkëpunim 9 herë, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ndërkohë, gjyqtarja Ilirjana Olldashi është tërhequr përkohësisht nga vendimi për sekuestrimin e sendeve të Ajola Xoxës, duke paraqitur një raport të paaftësisë në punë.

Shqyrtimi i ankimit do të bëhet nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili do të shpallë vendimin sot në orën 15:00.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›