“Nënën e gjeta të pajetë në mes të shtëpisë”, Klement Islamaj flet mes lotësh: Babanë e shtyva, por s’doja ta vrisja

I penduar për çdo gjë që kishte ndodhur dhe në gjendje të rënduar psikologjike është marrë dëshmia e 40-vjeçarit Klementin Islamaj, i cili mëngjesin e së martës shtyu nga shkallët babain e tij Huso Islamaj 69-vjeç, i cili për pasojë ndërroi jetë.
I riu përpara hetuesve është shprehur se nuk kishte qëllim që të vriste të atin, por vetëm e ka shtyrë pasi ky i fundit e ka sulmuar për ta goditur. Në këto momente i moshuari ka rënë nga shkallët dhe ndërroi jetë.
Klementin Islamaj ishte në lokalin e fshatit, në momentin kur mori vesh që i ati kishte vrarë të ëmën me sëpatë. Pas një sherri të momentit, Huso Islamaj mori sëpatën dhe la të vdekur në banesën e tyre bashkëshorten Shano Islamaj.
“Vetë jam prind i dy fëmijëve dhe jam i divorcuar. Babai edhe një ditë më parë e ka dhunuar nënën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit, po pija kafe me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja”, tha 40-vjeçari.
Krimi i rëndë në familje ndodhi mëngjesin e 6 gushtit. Gjatë një sherri në banesë, 69-vjeçari, Hysen Islamaj ka goditur disa herë me sëpatë bashkëshorten Shano Islamaj, duke e lënë të vdekur në vend. Skenat e tmerrshme ndodhën para fëmijëve të Klementin Islamajt, të cilët jetonin në banesë me gjyshërit. Huso Islamaj prej vitesh ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe njihej si persona problematik në zonë./vizionplus.tv