Nënkolonel Orges Shuraja: Batalioni Mbështetës, zemra e Shtabit të Përgjithshëm, përgatitet për sfidat e së nesërmes

Në kuadër të 60-vjetorit të Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, komandanti i Batalionit, nënkolonel Orgest Shuraja, i ftuar në studion e RTSH-24, foli për rrugëtimin, sfidat dhe të ardhmen e kësaj strukture të rëndësishme ushtarake.
Ai e cilësoi rrugëtimin e Batalionit “dinjitoz, me besueshmëri dhe profesionalizëm”, duke theksuar se e ardhmja e tij do të jetë në rritje, me investime në infrastrukturë, personel dhe trajtim financiar.
Komandanti i Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, nënkolonel Orges Shuraja, solli në vëmendje rrënjët historike të kësaj strukture ushtarake, duke theksuar se roli i saj ka qenë gjithmonë i pandashëm nga zhvillimet e sigurisë kombëtare.
“Gjatë historisë së tij, populli shqiptar ka pasur të organizuara në forma të ndryshme forca të armatosura dhe batalione sigurimi,” tha Shuraja, duke e lidhur zanafillën e Batalionit me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai sqaroi se deri në nëntor të vitit 1944, kjo strukturë ka funksionuar në nivel toge, por më pas, si nevojë dhe domosdoshmëri, në vitet ’50 u krijua kompania. Pas viteve ’50 deri në 1965 kjo ka shërbyer si kompani, por më pas ka marrë emrin Batalioni i Sigurimit. Pra, nga kompani është suprimuar në batalion sigurimi. Më pas, nga ky vit deri sot që po festojmë 60-vjetorin, kjo strukturë është Batalioni Mbështetës i Shtabit të Përgjithshëm,” u shpreh ai.
Duke u ndalur në rolet dhe misionet e strukturave të sigurisë, nënkoloneli Shuraja theksoi: “Pavarësisht strukturave të ndryshme që janë bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm dhe në Forcat e Armatosura, Batalioni Mbështetës i ka qëndruar gjithmonë besnik misionit të tij duke siguruar dhe garantuar mbrojtjen e personelit, infrastrukturës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm me shërbime administrative, logjistike, si në shërbimet ceremoniale ushtarake dhe shtetërore në situata paqeje, krize dhe lufte.”
Ai sqaroi se në përditshmërinë e tij, efektivi i Batalionit ka për detyrë të sigurojë ruajtjen dhe sigurinë e objekteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.
“Realizon monitorimin e garnizonit ‘Skënderbej’ dhe objektivat e tjera që ka në ruajtje ky batalion. Gjithashtu realizon zhvendosjen, ruajtjen dhe sigurinë e vendkomandave të Shtabit të Përgjithshëm në kohë paqeje dhe lufte. Siguron mbështetjen me personel të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes.”
Në këtë kontekst, ai e cilësoi se “Batalioni Mbështetës i Shtabit të Përgjithshëm është zemra e Shtabit të Përgjithshëm të forcave tona ushtarake”, duke shtuar se “nuk mund të konceptohet Shtabi pa këtë mbështetje”.
Sipas tij, sfidat dhe problematikat janë të ndryshme, por punohet çdo ditë për t’i përballuar me sa më pak vështirësi.
“Të gjithë ushtarakët që janë pjesë e kësaj strukture, që nga grada më e vogël deri te oficerët, kalojnë duke ndjekur një sërë kursesh kualifikimi. Ushtari nis që me stërvitjen individuale bazike prej 9-javësh në qendrën stërvitore dhe më pas emërohen në reparte të ndryshme ose në Batalionin Mbështetës. Pra, gjatë gjithë rrugëtimit të tij, një ushtar ka gjithmonë afate kualifikimi.”
Nënkoloneli Shuraja i bëri apel të gjithë të rinjve që dëshirojnë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare, duke theksuar: “çdo i ri duhet të japë kontributin e tij si pjesë e Batalionit, sidomos në trupën ceremoniale dhe në Bandën Frymore të FA.”
Ai vuri në dukje se interesi nga të rinjtë është në rritje dhe se gjatë fushatave të rekrutimit ka gjithmonë pjesëmarrje të shtuar.
“Një tjetër shifër që duhet përmendur në këtë rast është interesi i shtuar nga vajzat e reja, ku 25–30% e personelit të Batalionit Mbështetës mbulohet nga vajzat. Është një trend i shtuar dhe interesi ndaj Forcave të Armatosura (FA) është në rritje.”
/rtsh.al/