E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënstacioni 400 kV “Tirana 3” përmirëson sigurinë energjetike të Shqipërisë


TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Ndërtimi i nënstacionit të ri 400 kV “Tirana 3” në Petrelë, pjesë e programit të transmetimit Tirana-Rrashbull/Unaza Tiranës, shënon një hap të rëndësishëm në përmirësimin e rrjetit elektrik të vendit.

Ky projekt, i zbatuar nga OST dhe bashkëfinancuar nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian përmes KfW-së, synon të forcojë bazën e rrjetit elektrik të Shqipërisë dhe të rrisë kapacitetet e transmetimit në zonën e Tiranës.

Në realizimin e tij janë përfshirë edhe ekspertë gjermanë, me Fichtner si këshilltar implementimi dhe EFACEC, pjesë e grupit të Mynihut Mutares, që sjellin njohuritë e tyre në ndërtimin e një rrjeti transmetimi modern dhe të qëndrueshëm.

Nënstacioni “Tirana 3” pritet të përmirësojë besueshmerinë dhe sigurinë energjetike për Shqipërinë dhe rajonin, si dhe të mundësojë lidhje më të mira me tregjet rajonale dhe të BE-së.

Një tjetër ndikim i rëndësishëm është hapja e mundësive për energjitë e rinovueshme dhe përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër.

Gjermania ka qenë partner i qëndrueshëm i Shqipërisë në sektorin energjetik për më shumë se 20 vjet, duke financuar mbi 700 kilometra linja energjie, përfshirë edhe linjat ndërkufitare.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›