Nesër PD rizbret në terren, Policia merr përsipër protestën: Rrugët bllokohen që në orën 6 të mëngjesit

Ditën e nesërme, ora 10:00, Partia Demokratike organizon para godinës së Parlamentit protestën e saj të rradhës.
Një ditë para saj, Policia e Shtetit, përmes një njoftimi për shtyp, informon mbi masat e marra.
“Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”. Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore”, njofton Policia.
Njoftimi i Policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, ditën e nesërme, në orën 10:00, para Parlamentit.
Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, Policia e Tiranës me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e nesërme do të kufizohet lëvizja, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, në rrugën “George W. Bush”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete, si dhe apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Kujtojmë se, protesta e Opozitës do të zhvillohet në një kohë kur në seancë plenare do të votohet dhënia ose jo e autorizimit të kërkuar nga SPAK për një masë më të ashpër sigurie ndaj deputetes Belinda Balluku.
“12 marsi është një ditë e madhe, është dita e përmbysjes së narko-regjimit. Në orën 10 e gjithë Shqipëria para Parlamentit, t’i japim Ramës përgjigjen e merituar”, do të shprehej dy ditë më parë gjatë Foltores para kryeministrisë, kryetari i PD-së, Sali Berisha.