E Diel, 1 Nëntor 2026

Nesër ndeshja Shqipëri-Serbi, policia: Zona pranë stadiumit do ketë bllokim të pjesshëm sot e nesër

Në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Serbi”, Policia e Shtetit ka njoftuar për kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të Tiranës.

Masat vijnë si pjesë e një plani të detajuar sigurie, me synimin për të garantuar një zhvillim të qetë të aktivitetit sportiv dhe për të shmangur çdo incident të mundshëm. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim me forcat e rendit.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të njoftimit të dhënë për planin e masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Serbi”, ju informojmë se:

Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.

Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses porsa i përket masave të sigurisë, dhe në këtë kuadër me qëllim shmangien e incidenteve, apelojmë për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe respektim të udhëzimeve të strukturave të policisë në terren.

Çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›