E Diel, 1 Nëntor 2026

Piktorët mblidhen në Apoloni, artistë nga Shqipëria dhe vendet e Europës prezantojnë krijimet e tyre

Parku Arkeologjik i Apolonisë mirëpriti edicionin e 15-të të ekspozitës ndërkombëtare “Apolo Art Colony”, duke bashkuar në këtë hapësirë historike mbi 20 piktorë nga Europa dhe më gjerë.

Artistët, për një javë me radhë, ndanë eksperienca artistike dhe personale, duke sjellë një atmosferë të gjallë dialogu kulturor dhe kreativiteti.

Kuratori i kolonisë, Saimir Ahmeti, theksoi se përmes kësaj kolonie, arti dëshmon edhe një herë se është ura më e fortë e komunikimit mes kulturave.

Piktorja polake Jola Kitovska, pjesëmarrëse për herë të dytë në këtë koloni, solli një vepër me një mesazh të ndjeshëm.

“Është hera e dytë që marr pjesë dhe është kënaqësi shumë e madhe. Kam pikturuar një balerinë. Në fakt kjo nuk është vetëm një pikturë, një vepër arti por është më shumë se kaq. Është një mesazh. Lëvizjet e kërcimit janë si vetë ritmi i jetës të papritura, por plot harmoni”, tha Kitovska.

Drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj, vlerësoi veprat e artistëve si një formë e re promovimi për parkun dhe trashëgiminë që ai mbart.

“Këto krijime moderne dëshmojnë se parqet arkeologjike janë më shumë se vende të së kaluarës, janë hapësira të gjalla të kulturës bashkëkohore”, tha Durmishaj.

Në fund të këtij organizimi disa prej artistëve u nderuan me “Certifikata Mirënjohjeje” për kontributin e tyre në këtë ngjarje kulturore që i jep jetë një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›