Policia ndërton dinamikën e krimit, biznesmeni italian u vra pas konfliktit për dritat e makinës

Detaje të reja janë zbuluar mbi ngjarjen dhe mënyrën se si Policia e Gjirokastrës arriti të identifikojë autorin e dyshuar të vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, në Tepelenë.
Sipas hetimeve, Kamber Sulçaj po udhëtonte me makinën e tij drejt stanit që kishte në pronësi, jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja. Në rrugë, ai është ndeshur me automjetin ku ndodhej Gazmend Braçi së bashku me disa miq. Për shkak të dritave të gjata të ndezura, mes tyre ka shpërthyer një debat i ashpër verbal, i shoqëruar me fyerje dhe sharje.
Pas përplasjes verbale, Gazmend Braçi është nisur drejt banesës së tij në Salari, por Sulçaj dyshohet se e ka ndjekur nga pas.
Makina e Braçit është prishur dhe ai ka telefonuar babain, Eqerem Braçi, që të shkonte ta ndihmonte. Ky i fundit është nisur me dy makina drejt vendit ku ndodhej biznesmeni Sarchi. Sapo kanë mbërritur, në drejtim të tyre është qëlluar me armë zjarri. Një prej plumbave ka goditur italianin, i cili pak më vonë ka humbur jetën për shkak të gjakderdhjes së madhe.
Sulçaj ka vijuar të qëllojë për disa minuta, duke mos lejuar që personat të largoheshin, ndërsa më pas ka fshehur makinën në një zonë të pyllëzuar.
Policia mori në pyetje edhe dy dëshmitarë, të cilët në atë moment po kalonin me motor. Ata pohuan se kishin dëgjuar konfliktin dhe të shtënat me armë, por nuk arritën të dallonin personat për shkak të errësirës. Ata kanë mundur të identifikonin makinën e autorit, një mjet i bardhë me karroceri, si dhe targën.
Ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se Sarchi u godit nga një plumb tejshpues në pjesën e sipërme të kofshës.
Fillimisht, atij është tentuar t’i jepet ndihma e parë duke i lidhur plagën, por humbja e madhe e gjakut çoi në vdekjen e biznesmenit.
Sipas ekspertëve, autori kishte përdorur një armë gjahu me viaska dhe me dylbi nate, të ngjashme me ato që përdoren për gjueti.
Arma e krimit nuk është gjetur ende, por pranë vendit ku u fsheh makina e Sulçajt, Policia ka gjetur një dylbi që dyshohet se i përkiste armës së përdorur. Po ashtu, është sekuestruar një leje arme gjahu me dylbi nate në emër të Kamber Sulçajt, që përputhet me tipin e armës së krimit.
Autori vijon të jetë në kërkim. Banorë të zonës thanë se Kamber Sulçaj njihej si problematik dhe kishte probleme me alkoolin.
/vizionplus.tv