Netanjahu kërkon faljen e presidentit, Kryeministri i Izraelit thotë se nuk mund të vazhdojë gjyqi ndaj tij për korrupsion

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë për falje në procesin e tij të gjatë për korrupsion, duke e argumentuar si një veprim të domosdoshëm “në interesin publik”.
“Pavarësisht interesit tim personal për të vazhduar gjyqin dhe për të provuar pafajësinë time deri në lirimin e plotë, besoj se interesi publik dikton ndryshe.”
Ai thekson se ka përgjegjësi publike për të sjellë pajtim brenda vendit dhe se mbyllja e gjyqit do të ulë flakët e mosmarrëveshjeve politike.
“Gjyqi që po vazhdon po na përçan nga brenda, duke nxitur mosmarrëveshje të ashpra. Jam i sigurt, si shumë të tjerë, se përfundimi i menjëhershëm i gjyqit do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe do të promovonte pajtimin e gjerë që vendi ynë ka kaq shumë nevojë.”
Zyra e presidentit Herzog konfirmoi marrjen e kërkesës, duke deklaruar se ai “do ta shqyrtojë me kujdes dhe përgjegjësi të plotë”, pasi vetëm kreu i shtetit ka të drejtë të ndërmarrë këtë hap. Kërkesa për falje përbën një kthesë të fortë për Netanyahu-n, i cili më herët kishte deklaruar se akuzat do të rrëzoheshin dhe se ai do të provonte pafajësinë në gjykatë.
Ndërkohë, disa javë më parë, presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar gjithashtu faljen e Netanyahu-t, duke e quajtur atë “një kryeministër të vendosur në kohë lufte” dhe duke e vlerësuar për rolin e tij në drejtimin e Izraelit.
/vizionplus.tv