E Hënë, 2 Nëntor 2026

Netanyahu: Bisedimet për armëpushim me Hezbollahun do të vazhdojnë! Sot pritet fjalimi në OKB

“Grupet izraelite u takuan dje, të enjten, për të diskutuar propozimet e SHBA për një armëpushim me Libanin dhe do të vazhdojnë bisedimet në ditët në vijim”, tha sot kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar se ai vlerëson përpjekjet e SHBA.

“Ekipet tona u takuan (të enjten, 26 shtator) për të diskutuar nismën amerikane dhe mënyrat për të arritur qëllimin tonë të përbashkët për t’i kthyer njerëzit në shtëpi të sigurt. Ne do të vazhdojmë këto diskutime në ditët në vijim”, tha Netanyahu në një deklaratë.

Ky njoftim i kryeministrit izraelit u bë pasi ministri i Jashtëm i qeverisë së tij, Israel Katz, vuri në dukje dje se nuk do të ketë armëpushim në kufirin verior të Izraelit, në një kohë kur Forcat Ajrore izraelite po kryejnë bombardimet më të rënda në dekada kundër pozicioneve të Hezbollahut.

Në njoftimin e kryeministrit izraelit nuk përmenden deklaratat e Katz-it apo politikanëve të tjerë izraelitë, të cilët gjithashtu kanë hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi me Hezbollahun, por theksohet se “shumë informacione të pasakta qarkullojnë për nismën e udhëhequr nga SHBA-të për një armëpushim”.

“Izraeli ndan qëllimet e iniciativës së udhëhequr nga SHBA-ja për t’u mundësuar njerëzve përgjatë kufirit tonë verior që të kthehen të sigurt dhe me kujdes në shtëpitë e tyre,” tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.

“Izraeli vlerëson përpjekjet amerikane në këtë drejtim, sepse roli i SHBA-së është absolutisht i nevojshëm për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, përfundoi ai.

Dje, pasi Netanyahu u nis për në Nju Jork, ku pritet të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pasditen e sotme, rreth orës 15:30, zyra e tij lëshoi ​​një tjetër deklaratë ku thoshte se kryeministri izraelit kishte urdhëruar ushtrinë e vendit për të vazhduar luftën me të gjitha forcat e saj në Liban.

Forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr çdo ditë me Hezbollahun në kufirin mes Izraelit dhe Libanit për gati një vit, menjëherë pas fillimit të luftës në Rripin e Gazës.

Dhjetëra mijëra njerëz në të dy anët e kufirit janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, me Izraelin duke theksuar se një nga qëllimet e përpjekjeve të tij luftarake është kthimi i njerëzve të zhvendosur në shtëpitë e tyre.

Gjatë javës së kaluar, Izraeli ka goditur qindra objektiva në Liban, kryesisht në pjesën jugore të vendit, por edhe më thellë, duke vrarë më shumë se 600 njerëz.

Ndërkohë, Hezbollahu ka gjuajtur qindra raketa në objektiva në Izrael, duke përfshirë disa në Tel Aviv. Mbrojtja ajrore izraelite ka kapur shumicën e raketave dhe dëmtimi i Izraelit është relativisht i kufizuar./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›