Netanyahu: Trumpi më nxiti të vijoj luftën në Gazë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se presidenti Donald Trump e nxiti atë që të refuzonte marrëveshjen e armëpushimit të pjesshëm me Hamasin dhe të vazhdonte konfliktin në Gazë.
Netanyahu refuzoi të mbante votimin për armëpushimin e propozuar gjatë një mbledhjeje të kabinetit të tij ndërsa pretendoi se Donald Trump mbështeti përshkallëzimin e konfliktit.
Takimi gjashtëorësh u përqendrua pothuajse vetëm në përshpejtimin e ofensivës ushtarake brenda qytetit të Gazës, pas disa rrjedhjeve nga diskutimi me dyer të mbyllura, sipas The Telegraph.
“Harrojini marrëveshjet e pjesshme. Hyni me forcë të plotë dhe përfundoni këtë”, ka theksuar Netanyahu gjatӕ mbledhjes.
Sipas Netanjahut, presidenti Trump i kishte kërkuar atij të fillonte të hartonte plane për të mposhtur Hamasin pasi dyshohet se humbi besimin në negociatat e bllokuara të armëpushimit.
Plani i kryeministrit Izraelit për të pushtuar qytetin e Gazës për marrjen e plotë të Rripit në tërësi, ka ndarë qeverinë e tij dhe udhëheqjen ushtarake të Izraelit, e cila ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që do të sillte pushtimi i plotë i Gazës.
Eyal Zamir, shefi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), i cili u përplas me Netanyahun, u tha anëtarëve të kabinetit se “ekziston një kornizë [armëpushim] në tryezë, [dhe] ne duhet ta pranojmë atë”, sipas Channel 12.
/rtsh.al/