Vota e diasporës, DHL shkresë KQZ-së: Pagesa mbi 836 mln lekësh duhet kryer brenda 15 ditësh, rrezikoni kamatëvonesë

Shoqëria DHL International (Albania) i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të kryer pagesën mbi 863 milionë lekë, që rrjedh nga kontrata e shërbimit postar për votimin e shqiptarëve të diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
DHL thekson se pavarësisht dorëzimit të të gjitha faturave dhe dokumentacionit përkatës në përputhje me kontratën, ende nuk ka marrë asnjë pagesë nga ana e KQZ-së, çka ka bërë që, që prej 30 qershorit të hyjë në fuqi kamatëvonesa prej 26 milionë lekësh e përllogaritur për deri në fund të muajit shtator.
“Në bazë të sasisë së shërbimeve të ofruara nga ana e shoqërisë DHL INTERNATIONAL (Albania) sh.p.k. sipas Kontratës së Shërbimit, rezulton se vlera totale e detyrimit është në shumën prej 863’906’699 (tetëqind e gjashtëdhjetë e tre milion e nëntëqind e gjashtë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë) Lekë.
Në shtesë të sa më sipër, bazuar në nenin 10.4 të Kontratës së Shërbimit, parashikohet se “në rast të verifikimit të vonesave në kryerjen e pagesave nga ana e Blerësit, megjithëse Furnizuesi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij në përputhje me kushtet e kontratës, detyrimet e prapambetura dhe kamatëvonesat përkatëse do të kryhen në përputhje me parashikimet e Ligjit Nr. 48/2014, <<Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”, thuhet në shkresë.
Gjithsesi, DHL shprehet e gatshme të heqë dorë nga kamatëvonesa nëse KQZ kryen pagesën brenda 15 ditëve nga marrja e kësaj kërkese.
“Në këto kushte, lutem të informoheni se, bazuar në parashikimet e Ligjit Nr. 48/2014 kamatëvonesa që i aplikohet detyrimit si më sipër është 10.75% deri më datë 30.6.2025, dhe 10.5% për mos pagesë pas kësaj date e në vijim. Në bazë të këtyre përcaktimeve, ju bëjmë me dije se, kamatëvonesa që do të maturohej deri më datë 30.9.2025, në rast mos pagese, do të ishte në shumën prej, 26,014,829 (njëzetë e gjashtë milion e katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e njëzetë e nëntë) Lekë e cila do t’i shtohej shumës së principalit të detyrimit si më sipër. Theksojmë se një zhvillim i tillë do të kishte pasoja financiare që mund të çonin në tejkalimin e parashikimeve buxhetore të përcaktuara në Kontratën e Shërbimit.
Nga ana jonë, i mirëkuptojmë vonesat e hasura nga ana e Institucionit Tuaj lidhur edhe me situatën e menaxhimit pas zgjedhor, dhe jemi të gatshëm të heqim dorë nga pagesa e kamatëvonesave të maturuara ndërkohë nëse nga ana e Institucionit Tuaj do të merren masa për kryerjen e pagesës së detyrimit prinicipal sipas Kontratës së Shërbimit brenda 15 ditëve nga marrja dijeni e kësaj shkrese”, nënvizohet më tej në shkresën drejtuar KQZ.
/rtsh.al/