Nga Shqipëria drejt Kosovës, kapen mallra të padeklaruara me vlerë mbi 72 mijë euro

Dogana e Kosovës ka zbuluar një tentativë për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Kosovës, në pikën kufitare të Vërmicës.
Gjatë kontrollit të një kamioni që po hynte nga Shqipëria, zyrtarët doganorë konstatuan mospërputhje mes peshës së deklaruar dhe asaj reale të automjetit. Kjo ngriti dyshimet për ngarkesën dhe çoi në një kontroll më të imtësishëm.
Gjatë verifikimit u zbuluan 1.036 palë këpucë dhe 2.980 artikuj veshmbathjeje, të cilat nuk ishin deklaruar në dokumentacionin doganor.
Sipas Doganës së Kosovës, pothuajse të gjitha produktet mbanin marka tregtare të mbrojtura, ndërsa vlera e përgjithshme e mallrave përllogaritet në rreth 72.600 euro, pa përfshirë detyrimet doganore.
Për rastin janë ndërmarrë veprimet përkatëse, ndërsa procedurat administrative vijojnë. Çështja i është përcjellë edhe organeve kompetente për trajtim të mëtejshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb