E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nga folklorizmi te “liria antropologjike”, kush e ndërtoi imazhin e shqiptarit? Botimi i Albert Dojës dhe rikthimi i debatit për të tashmen dhe të ardhmen e antropologjisë shqiptare

Albert P. Nikolla

“Libri “Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri“ i Albert Dojës mund të konsiderohet doracaku i  domosdoshëm për çdo studiues apo student që dëshiron të mahnitet nga udhëtimi i antropologjisë. Një libër që nuk mjaftohet të shpjegojë kthesat më të forta e më interesante të historisë e një disipline, por na fton të mendojmë se çfarë mund të jetë e si mund të lindë një  antropologji mirëfilli shqiptare ose si kanë lindur shfaqjet e para të saj.

Albert doja2

Ka libra që lexohen për të marrë informacion dhe ka libra që të detyrojnë të rikthehesh te pasazhet dhe risitë themelore që nxjerr ne pah. Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri e Albert Dojës, mendoj, i përket kësaj kategorie të dytë. Libri nuk është thjesht një përmbledhje shkrimesh mbi historinë e antropologjisë në Shqipëri. Ai është, në një kuptim më të thellë, një përpjekje për të pyetur se si është prodhuar njohuria “etnografike” për shqiptarin, kush e ka prodhuar atë, në çfarë kushtesh është prodhuar dhe, mbi të gjitha, çfarë ideologjish, institucionesh dhe pushtetesh kanë ndikuar në mënyrën se si kemi menduar kulturën shqiptare? Pse kjo mbledhje njohurish “etnografike” ka pretendimin të jetë “Antropologji”? Si mund të bëhet kalimi nga “etnografia” dhe “kultura popullore” te Antropologjia Shqiptare pa paragjykime, pa nënvlerësime, por me të vërtetën shkencore si metodologji “sine qua non”? Bash këtu qëndron, sipas meje, edhe rëndësia vendimtare e këtij libri për antropologjine në Shqipëri.

Një meritë e veçantë i përket studiueses Enika Abazi, e cila ka bërë një punë shumë delikate përzgjedhjen dhe përmbledhjen e artikujve, si dhe për organizimin e një korpusi të gjerë shkrimesh në një vëllim që ka një bosht të përkryer të mesazhit që kërkon të transmetojë. Përzgjedhja e teksteve të një autori, për më tepër një antropolog ku ngërthehen dinamika kulturore, dhe vendosja e tyre në një rend të caktuar krijon edhe një mënyrë leximi. Në këtë rast, lexuesi ka mundësinë të ndjekë jo vetëm temat e Dojës, por edhe zhvillimin e një mendimi antropologjik që kërkon vazhdimisht të dalë përtej përshkrimit.

Nga përshkrimi te analiza.

Njëra nga çështjet që më duket më e rëndësishme në libër është pikërisht kjo: antropologjia nuk mund të reduktohet field-ëork (punë në fushë, mes njerëzve), në mbledhjen e zakoneve, riteve, këngëve, veshjeve apo gojëdhënave të një populli. Shpeshherë kush mund ta lexojë këtë pasazh dhe që ka dedikuar jeten me ndershmeri duke mbledhur të dhëna etnografike, mund të ndjehet keq, por metodologjia shpesh është e pamëshirshme. Ne fakt Doja, në faqen 14, Doja shkruan se me “qasjet e tij analitike dhe kritike të hollësishme” është përqendruar veçanërisht në karakterin politik të studimeve shqiptare dhe në homologjitë midis etnografisë, folklorit dhe studimeve të kulturës popullore.

Të kundrosh, ta përshkruash një kulturë nuk do të thotë ende ta kuptosh atë. Antropologjia fillon pikërisht aty ku pyetja nuk mjaftohet më me “çfarë është kjo?”, por kërkon të dijë pse është kështu, si është bërë kështu dhe çfarë marrëdhëniesh shoqërore prodhojnë atë që ne e quajmë kulturë. Pra gati-gati kalojmë në një plan filozofik – antropologjik nga pikëpamja epistemologjike. Në këtë pikë Doja e vendos Shqipërinë brenda një problemi shumë më të gjerë të antropologjisë bashkëkohore. Ai shkruan se objektivi kryesor i punës së antropologut nuk është thjesht të tregojë veçori kulturore, por të analizojë të dhënat nga një kulturë e caktuar, si kultura shqiptare, në krahasim me shumëllojshmërinë dhe ndryshueshmërinë kulturore kudo që ato shfaqen. Pikërisht për këtë sepse Shqipëria nuk duhet të jetë vetëm objekt i antropologjisë, por mund të jetë edhe burim i antropologjisë. Kjo do të thotë se duke studiuar Shqipërinë nuk duhet të synojmë vetëm të tregojmë se si jemi të ndryshëm nga të tjerët. Duhet të pyesim se çfarë mund t’i mësojë përvoja shqiptare vetë teorisë antropologjike.

Shqipëria si rast antropologjik.

Kjo ide shfaqet qartë edhe në faqen 19 të librit, ku Doja parashikon mundësinë që kërkimet mbi Shqipërinë të çojnë drejt analizave dhe formulimeve më të përgjithshme për shoqërinë shqiptare në tranzicion, duke kaluar nga analiza e marrëdhënieve farefisnore dhe strukturat sociale deri te kriminalizimi dhe korrupsioni i elitave socio-profesionale. Pra, antropologjia nuk duhet të mbetet e mbyllur në fshatin, në zakonet, në kostumet apo në “traditën”. Edhe tranzicioni, elitat, korrupsioni, marrëdhëniet e pushtetit, identitetet fetare e etnike, ndryshimet sociale dhe krizat morale janë objekte të mirëfillta antropologjike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë e pas vitit 1990. Sepse kemi kaluar nga një shoqëri që pretendonte të kishte një model të vetëm të njeriut (shih Njeriu i Ri – A. Nikolla) dhe të shoqërisë, në një shoqëri ku modelet, identitetet dhe mënyrat e përkatësisë janë bërë shumë më të lëvizshme. Pikërisht këtu antropologjia mund të bëhet një instrument i privilegjuar për të kuptuar tranzicionin.

Identiteti nuk është një fotografi statike.

Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Dojës është mënyra se si ai e trajton identitetin. Në faqen 26 ai analizon mënyrat e identifikimit dhe të përkatësisë fetare në Ballkan si instrumente politike dhe dëshmon se, gjatë proceseve të rindërtimit identitar, kufijtë hapësinorë dhe kategoritë gjinore, etnike e fetare etnicizohen dhe politizohen vazhdimisht. Kjo është një mënyrë tjetër për të na thënë se identiteti nuk është një element i ngurtë i vendosur një herë e përgjithmonë në historinë e një populli. Identitetet ndërtohen, rishkruhen, negociohen, përshtaten dhe, në rrethana të caktuara, edhe instrumentalizohen. (shih edhe Ethnic Groups and Boundaries: The Social Organization of Culture Difference (1969), pasi Doja ndjek të njëjtën linjë). Këtu libri prek një çështje që është shumë e rëndësishme edhe për historinë shqiptare: marrëdhënien midis identitetit fetar, identitetit etnik dhe identitetit politik.

Në arsyetimin mbi konvertimin e shqiptarëve në Islam, për shembull, Doja sjell një risi pasi ai kërkon të dalë përtej një skeme të vetme që e lidh këtë proces thjesht me presionin osman. Ai hap mundësinë për ta parë procesin edhe në raport me marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët grekë e sllavë dhe me mënyrat e ruajtjes apo rikompozimit të përkatësisë kolektive. Ky është një hap i madh cilësor pasi historia e vetme nuk mund të japë përgjigje përmbyllëse mbi fenomene kaq komoplekse si ato fetare. Natyrisht, këto procese duhet të studiohen gjithmonë me kujdes dhe pa projektuar identitetet e sotme mbi njerëzit e së kaluarës. Por pikërisht kjo është vlera e qasjes antropologjike: ajo e bën identitetin një ecje të vazhdueshme, jo një përgjigje përmbyllëse.

Nga “autentikja” te shpikja e traditës.

Këtu arrijmë te një nga temat më interesante të librit: kritika ndaj folklorizmit. Në faqen 53, Doja vëren se antropologjia është ngatërruar shpesh me studimin e asaj që quhet “kultura popullore”, duke kërkuar në të gjurmë të një të kaluare parahistorike, madje primitive. Në faqen 160 ai është edhe më i drejtpërdrejtë kur phon se studimet e përqendruara te autenticiteti dhe lashtësia e zakoneve mund të shndërrohen në një lloj “folklorizmi të traditave kulturore”, në atë që lidhet me Folklorismus ose “shpikjen e traditës”. Këtu një krahasim me Eric Hobsbaëm do të ishte interesant. Koncepti i “shpikjes së traditës”, i zhvilluar në veprën The Invention of Tradition, na kujton se shumë tradita që paraqiten si të lashta dhe të pandryshueshme janë rezultat i proceseve

relativisht të vona të selektimit, përshtatjes dhe institucionalizimit. Por çështja nuk është vetëm të zbulojmë se cila traditë është “e vërtetë” dhe cila është “e shpikur”. Pyetja më e shkoqur antropologjike është: kush e shpik traditën, për çfarë arsye, në çfarë rrethanash dhe çfarë efekti shoqëror prodhon ajo? Kjo është një pyetje shumë më e fortë se ajo që kërkon një “autenticitet” të ngrirë. Ky është ndoshta edhe mëkati i Antropologjisë se nuk resht së pyeturi, edhe pse kupton më shumë se disiplinat e tjera mbi njeriun, ndoshta.

Ka një pasazh interesant ku Doja përdor termin “Liria antropologjike”. Do të shtoja këtu një element që për mua është thelbësor dhe dua të përmbush këtë mendim që ka paraqitur Doja. Doja thotë se nëse folklorizmi politik e kufizon lirinë e antropologut duke i kërkuar atij të gjejë vetëm atë që konfirmon një identitet të paracaktuar, atëherë unë shtoj se edhe antropologjia në vetvete ka nevojë për liri. Liria nuk është një dekor i antropologjisë. Është kusht i saj. Antropologu duhet të jetë i lirë të dëgjojë edhe atë që nuk e pret. Të shohë edhe atë që nuk përputhet me teorinë e tij. Të pranojë se realiteti shoqëror mund ta detyrojë të rishikojë thelbësisht konceptet me të cilat ka

hyrë së pari në terren. Në një nga shkrimet e mia kam shkruar se mësimi i parë i antropologjisë që kam marrë në Itali ishte se duhet t’i kesh veshët dhe mendjen të hapur për të dëgjuar të pabesueshmen. Pikërisht aty, mendoj, fillon antropologjia: kur ajo që fillimisht na duket e pabesueshme bëhet objekt i vëzhgimit dhe i kuptimit. Kjo është edhe arsyeja pse liria antropologjike është kaq e rëndësishme. Pa liri nuk ka të papritur. Dhe pa të papriturën antropologjia rrezikon të kthehet në një sistem që kërkon vetëm të konfirmojë atë që tashmë di ose që e “detyron” ta bëjë.

Përtej folklorizmit: problemi i komunizmit.

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet mënyrës se si studimet shqiptare u zhvilluan nën komunizëm. Në faqen 173 Doja përshkruan projektin totalitarist dhe kufizimet ideologjike e metodologjike që karakterizuan studimet mbi kulturën popullore. Në faqen 198 ai e formulon problemin edhe më qartë, duke folur për shtrembërimin ideologjik të studimeve shqiptare në shërbim të regjimit komunist dhe për mënyrat në të cilat një pjesë e studiuesve u përshtatën me kushtet e sistemit: herë përmes një detyrimi retorik minimal, herë me bindje dhe herë përmes asaj që ai e quan “flirtim oportunist” me modën e ditës. Këtë gjë Doja e bën pa mllef, pa fyerje dhe kërkim ndëshkimi intelektual sepse secili e mbart përgjegjësinë mbi vete. Kjo është një pikë që kërkon, megjithatë, një lexim të kujdesshëm. Sepse një histori e ecjes se “etnografisë” shqiptare drejt antropologjisë nuk mund të reduktohet vetëm në historinë e ideologjisë së saj. Mendoj se studiuesit e kulturës popullore përgjatë kohës së diktatrurës meritojnë një falenderim e respekt të madh pasi kanë punuar me devotshmëri të madhe e nën një presion të tmerrshëm.

Edhe brenda kufizimeve të sistemit ekzistonin studiues, materiale, vëzhgime dhe njohuri që meritojnë të rilexohen nën dritën e frymëmarrjes së madhe të Antropologjisë. Vetë Doja e pranon këtë kur përmend figura si Rrok Zojzi dhe Qemal Haxhihasani, si dhe kontributet e studiuesve shqiptarë në fushën e kulturës materiale, organizimit shoqëror, mitologjisë dhe besimeve. Prandaj, detyra e sotme nuk është thjesht të hedhim poshtë gjithçka që është prodhuar para vitit 1990. Detyra është më e vështirë: të ndajmë dijen nga ideologjia, faktin nga interpretimi, vëzhgimin nga përdorimi politik i vëzhgimit. Kjo kërkon një kritikë të vërtetë dhe jo thjesht një gjykim retrospektiv.

Katolikët dhe një lexim që nuk është bardh e zi. Më duket me interes edhe mënyra se si Doja trajton disa prej intelektualëve katolikë shqiptarë. Në faqen 177, duke folur për Shtjefën Gjeçovin, Gjergj Fishtën dhe shkrimtarë të tjerë katolikë të Veriut, ai pranon se ata kishin një program të qartë shoqëror dhe politik për rigjallërimin e kombit dhe forcimin e identitetit. Qëllimi i tyre nuk ishte thjesht regjistrimi i normave zakonore, por edhe përmirësimi i tyre dhe kuptimi i traditave në kontekstin e tyre shoqëror. Kjo është e rëndësishme sepse tregon se analiza e Dojës nuk është thjesht një refuzim i ndonjë përpjekjeje për të ndërtuar identitet kombëtar. Përkundrazi, ai na fton të dallojmë midis studimit të kulturës dhe përdorimit politik të kulturës. Edhe këtu, antropologjia duhet të ruajë distancën e saj kritike e metodologjike. Nuk mund të pranojë as mitologjinë e një kulture të pandryshueshme, as mitologjinë e kundërt sipas së cilës çdo formë e identitetit kolektiv është thjesht një konstruksion artificial pa kurrfarë historie. Shumë më i ndërlikuar është realiteti, njëmend.

Lévi-Strauss dhe sfida e teorisë.

Libri i Dojës nuk është vetëm histori e studimeve shqiptare. Ai është edhe një hyrje në disa prej debateve më thelbësore e interesante të antropologjisë moderne. Kjo shihet sidomos në kapitujt kushtuar Claude Lévi-Strauss-it. Në faqen 68, Doja e përmbledh strukturalizmin si një refuzim pikë për pikë të ekzistencializmit. Më tej, në diskutimin mbi raportin subjekt – objekt, ai sjell edhe kritikën ndaj rrezikut që njeriu dhe veprat e tij të reduktohen në një reflektim objektiv. Këtu arsyetimi i Dojës përfton një përmasë të qartë filozofike aq interesante kur i referohet Antropologjisë. Në faqen 104, në trajtimin e qasjes morfodinamike, ai shpjegon mekanizmin gjenerues të miteve dhe mënyrën se si transformimet e tyre mund të kuptohen përmes marrëdhënieve strukturore. Këtu libri bëhet më shumë se një histori e ecjes dhe e shfaqjes së antropologjisë shqiptare: bëhet një tekst që e vendos lexuesin shqiptar në dialog me një nga traditat më të rëndësishme të antropologjisë europiane. Dhe kjo është një nga meritat e pamohueshme të Dojës, sepse antropologjia shqiptare nuk mund të zhvillohet duke qëndruar vetëm në historinë e vet. Ajo duhet të hyjë në dialog me Lévi-Strauss-in, Geertz-in, Bourdieu-n, Mauss-in, Evans-Pritchard-in dhe me shumë tradita të tjera teorike, duke mos qenë as kopje e tyre dhe as e izoluar prej tyre.

Kultura dhe emocioni.

Në një pikë të librit, Doja shkruan se “nuk janë emocionet ato që prodhojnë kulturën por e kundërta”, duke e krahasuar kulturën me muzikën si kombinim matematik valësh që krijon emocione. Këtu do të bëja një ndërhyrje time pak kundërthënëse. Nuk jam plotësisht dakord me këtë formulim. Unë do ta shihja marrëdhënien midis kulturës dhe emocioneve si një marrëdhënie ndërvepruese: kultura prodhon mënyra të caktuara të përjetimit dhe të shprehjes së emocioneve, por emocionet, përmes veprimit njerëzor, prodhojnë gjithashtu kulturë. Në këtë pikë, Clifford Geertz na jep një formulim shumë domethënës: “Jo vetëm idetë, por edhe emocionet gjithashtu, janë artefakte.” (The Interpretation of Cultures, 1973, f. 81). Pra, emocionet nuk janë jashtë kulturës. Por as kultura nuk ekziston pa njerëzit që e përjetojnë, e interpretojnë dhe e transformojnë atë. Këtu, për mua, qëndron një nga bukuritë e antropologjisë: ajo nuk na lejon ta ndajmë lehtësisht njeriun nga kultura e tij e madje, paradoksalisht, as nga natyra e tij, ndoshta edhe biologjike. Përherë më ka intriguar ideja se natyra e kultura te njeriu ndethurengati nëmëyrë mnisterie opa e përjashtuar njëra tjeren per duke patur shumë “zona të ndërmjertme”.

Antropologjia si kritikë e vetvetes

Në faqen 123, Doja shkruan se qëllimi i vlerësimit kritik të studimeve shqiptare dhe atyre mbi Europën Juglindore është rikonstruktimi i ndryshimeve të bazës ideologjike në veprat folklorike dhe etnografike. Por ai shkon edhe më tej: antropologjia duhet të vërë në diskutim opinionet e ngulitura më parë, veçanërisht ato që sot shihen si të njëanshme. Kjo është një detyrë e vështirë dhe e ashpër që antropologjia duhet ta ushtrojë edhe mbi veten. Një disiplinë që kritikon të tjerët, por nuk kritikon mënyrën se si prodhon vetë dijen, rrezikon të kthehet në dogmë. Prandaj më duket se Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri është e rëndësishme jo vetëm për atë që thotë mbi të kaluarën, por edhe për pyetjen që i drejton së ardhmes. Çfarë antropologjie duam në Shqipëri? Një antropologji që mbledh të dhëna për “kulturën shqiptare”? Apo një antropologji që, duke nisur nga Shqipëria, hyn në komunikim (nga latinishtja: bashkëndarje) me problemet e mëdha të teorive antropologjike? Unë jam i prirur të zgjedh të dytën por nuk besoj se ia kam arritur këtij qëllimi pasi i shoh studimet e mija mbi antropologjinë përherë në ecje e dilema.

Një libër për të ardhmen e antropologjisë shqiptare.

Në fund, Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri nuk më duket thjesht një libër për të kuptuar se si ka lindur antropologjia në Shqipëri. Është një libër për të kuptuar pse ajo duhet të çlirohet nga disa prej kufizimeve që kanë shoqëruar historinë e saj. Nga folklorizmi te ideologjia, nga nacionalizmi metodologjik te projektet totalitare, nga përshkrimi te teoria, nga “autentikja” te ndryshueshmëria kulturore, Doja na vendos përballë një problemi thelbësor: si mund ta studiojmë njeriun pa e mbyllur atë paraprakisht brenda një skeme? Kjo është, në fund të fundit, edhe beteja, dilema dhe pyetja e antropologjisë. Dhe ndoshta këtu qëndron vlera më e madhe e këtij libri: ai nuk na kërkon vetëm të njohim historinë e antropologjisë shqiptare, por të mendojmë se çfarë antropologjie duhet të ndërtojmë më tej, një antropologji që nuk i trembet krahasimit, që nuk i trembet kritikës, që nuk i trembet historisë dhe, mbi të gjitha, siç më pëlqen ta shpreh sipas mënyrës sime: që nuk i trembet të papriturës. Në këtë kuptim, libri i Albert Dojës është jo vetëm një dëshmi e shfaqjes së antropologjisë në Shqipëri, por edhe një ftesë për ta menduar atë përsëri.

Referenca kryesore

Doja, Albert, Shfaqja e antropologjisë në Shqipëri: Shkrime të zgjedhura në 60-vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave, Tiranë, 2018.

Geertz, Clifford, The Interpretation of Cultures, Basic Books, Neë York, 1973.

Hobsbaëm, Eric & Terence Ranger (eds.), The Invention of Tradition, Cambridge University Press, Cambridge, 1983.

Lévi-Strauss, Claude, Race et histoire, UNESCO, Paris, 1952.

Barth Fredrik*, Ethnic Groups and Boundaries: The Social Organization of Culture Difference* (1969)

Nikolla, Albert. Njeriu i Ri Shqiptar. Ndërmjet moralit komunist dhe krizës së tranzicionit. Onufri. 2012. Tiranë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›