E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kush kontrollon paranë e filmit? Pikëpyetjet e ligjit për kinematografinë

AGRON XOXAkinema

“Hidhet guri i çmendurisë në oqean dhe s’ka kush e nxjerr më, të kam rixha…”

Natyrisht, origjinali është pak më ndryshe, por thelbi mbetet po ai. Dhe kjo më sjell ndër mend një histori të largët, por jo aq të largët sa të jetë harruar. Në të njëjtin qytet, në të njëjtin shtet dhe në të njëjtën godinë, në vitet e mbrapshta 1998-1999 — të mbrapshta për disa, ndërsa të mrekullisë për ca të tjerë — në Parlamentin shqiptar u dërgua për miratim projektligji “Për Teatrin”. Sot, gati tri dekada më vonë, përpara Parlamentit shqiptar ka mbërritur një tjetër projektligj që prek një nga fushat themelore të kulturës kombëtare: kinematografinë.

Nëse është rastësi, do të ishte ajo e shumëfishta në vazhdim e një Ministrie dhe Qeverie që, pa e paragjykuar, vijon t’i qëndrojë një mentaliteti që mbjell e sjell konflikte të ashpra midis qytetarëve, grupeve të interesit, personalitetesh të fushave, ku njëra palë, në pakicë, e gjen veten “të rehatohet sa gjatë e gjerë”, ndërsa pala tjetër duhet të gjejë tjetër hapësirë për të mbajtur gjallë mendjen dhe trupin. Përmenda jo rastësisht projektligjin “Për Teatrin”, sepse aty filloi rastësia fatlume e këtij mentaliteti “ligjvënës dhe ligjzbatues”, të ndërtuar jo mbi debatin publik dhe interesin publik, por mbi mendimin arrogant se gjithçka që ndërton ky mentalitet është po aq “e pagabueshme sa edhe e pakorrigjueshme”! Faktet flasin shumë ndryshe kur flitet për hartimin dhe zbatimin i një ligji mbi kinematografinë. Përpjekjet më të mëdha dhe më të pamohueshme i takojnë viteve ’92-’96, kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Dhimitër Anagnosti dhe stafi i tij. Ishte koha kur një botë e akullt poli, prej afro gjysmë shekulli, po çahej e shkrihej me zhurmë. Dhe kur çahet një masë kaq e madhe akulli, ajo nuk shkrihet qetësisht. Coprat e saj vazhdojnë të lëvizin, përplasen me njëra-tjetrën, kërkojnë vend në një hapësirë që ende nuk ka marrë formën e re. Institucionet humbnin strukturën e vjetër; hierarkitë, privilegjet dhe mënyrat e administrimit nuk zhdukeshin bashkë me sistemin që i kishte krijuar; ndërsa artistët dhe profesionistët duhej të gjenin një mënyrë tjetër për të ekzistuar, krijuar dhe mbijetuar. Kinematografia shqiptare ndodhej pikërisht brenda kësaj çarjeje.

Kinostudioja “Shqipëria e Re”, që për dekada kishte përmbledhur nën një çati pothuajse të gjithë mekanizmin e prodhimit të filmit: autorin, regjisorin, teknikën, financimin, prodhimin dhe shpërndarjen, nuk mund të vazhdonte më të funksiononte sipas së njëjtës logjikë. Por as copëzimi i saj, i lënë vetëm në dorë të rrjedhës së kohës, nuk mund të prodhonte vetvetiu një sistem të ri. Pikërisht në këtë hapësirë duhej ndërtuar një urë ligjore midis dy brigjeve: asaj që po shembej dhe asaj që ende nuk ishte ndërtuar. Dhimitër Anagnosti nuk vinte në këtë proces thjesht si ministër. Ai vinte prej vetë kinemasë shqiptare, si një nga autorët dhe regjisorët e saj më të rëndësishëm, pra si njeri që e njihte nga brenda atë botë që tashmë duhej të çmontohej institucionalisht pa u shkatërruar artistikisht. Kjo e bënte pothuajse të natyrshme që të ishte ndër nxitësit kryesorë të një kuadri të ri ligjor, i cili duhej të ndante shtetin nga monopoli i prodhimit, por jo shtetin nga përgjegjësia për ekzistencën e filmit shqiptar.

Ajo që u përgatit dhe u ndërtua midis polemikash të shumta, herë-herë të ashpra deri në kufijtë e përplasjes midis vetë kineastëve, në një kohë konfliktesh interesash dhe mbijetese nga një sistem politik në një tjetër, solli përgatitjen dhe hartimin e projektligjit mbi kinematografinë. Pas dorëheqjes së ministrit Anagnosti, për arsye jashtë kësaj teme, ligji u miratua në kohën kur ministër ishte Teodor Laço, por mori emrin “Ligji Anagnosti”, sepse u mbrojt në Parlament pikërisht nga Dhimitër Anagnosti, asokohe në cilësinë e deputetit. Ky ligj shërben edhe sot, kur në po atë godinë, në po këtë kryeqytet të shtetit shqiptar, pritet të shqyrtohet dhe miratohet një tjetër projektligj, i hartuar me një mendësi dhe filozofi tjetër nga ajo që prodhoi Ligjin e vitit 1996. Nuk do të bëj analogjinë juridike midis dy ligjeve mbi kinematografinë. Mendoj se do të ishte e nxituar të përcaktoja, pa bërë më parë analizën e plotë, nëse projektligji i ri është “më i mirë apo më i keq” se ligji i vjetër. Dua të bëj diçka shumë më të thjeshtë: ta lexoj, së pari. Madje, ta lexoj nen për nen. Sepse debati është i një rëndësie themelore si për ata që e kritikojnë projektligjin, të cilët nuk mund të qëndrojnë vetëm mbi opinionin, ashtu edhe për ata që e kanë hartuar dhe e kanë dërguar për miratim. Këta të fundit duhet të kuptojnë se “të dëgjosh” kritikën publike është detyrim ligjor e moral dhe ka po atë rëndësi publike sa edhe të lobosh më pas për miratimin e tij.

KONSULTIMI PUBLIK

Projektligji, në fakt, është publikuar për konsultim. Mirë. Por publikimi elektronik nuk mund të jetë vetë debati. Ai është vetëm një instrument i tij. Madje, regjistri zyrtar i konsultimit publik tregon sot një fakt që nuk duhet kaluar pa vëmendje: konsultimi është zhvilluar nga 12 maji deri më 9 qershor 2026 dhe në platformë rezultojnë zero komente të depozituara. Kjo nuk provon se nuk janë zhvilluar debate e konsultime në mënyra të tjera, por ngre pyetjen legjitime: a mund të konsiderohet e mjaftueshme, për një reformë kaq të thellë mbi kinematografinë, vetëm përmbushja formale e procedurës së publikimit? Një ligj i tillë kërkon debat të vërtetë profesional.

Tryeza. Autorë. Regjisorë. Skenaristë. Producentë. Operatorë. Kritikë. Shoqata. Pedagogë. Breza të rinj kineastësh. Dhe, mbi të gjitha, kërkon që kundërshtimi të mos konsiderohet pengesë për ligjin, por një nga instrumentet për ta bërë ligjin më të mirë. Sepse debati që ka shpërthyer këto javë rreth projektligjit “Për Kinematografinë dhe Audiovizualin” po rrezikon të largohet pikërisht nga objekti për të cilin duhej të zhvillohej: nga vetë ligji. Për fat të keq janë krijuar llogore. Janë krijuar dy pole, ose palë. Nga njëra anë janë ngritur kundërshtime të forta nga familja Shanaj-Lako dhe, nga ana tjetër, janë hedhur në kundërsulm drejtues apo ish-drejtues të institucioneve të kinematografisë dhe profesionistë, të cilët e shohin ndryshe reformën dhe vetë thelbin juridik të projektligjit.

Debati po degradon dita-ditës në akuza për klane, interesa, biografi profesionale, prona, karriera, financime, miqësi e armiqësi. Mua nuk më intereson kjo pjesë e debatit. Dhe më e keqja, mendoj, është se nuk po debatohet projektligji për miratim, në esencën e tij dhe “nen për nen”, por anatemohen pa shkak karrierat dhe pronësitë pasurore të njërës a tjetrës palë. Në fakt, personalisht nuk më intereson kush ka tri shtëpi apo vila dhe kush ka një, qoftë kjo edhe kasolle. Në këtë rast, jo! As kush ka bërë më shumë filma dhe kush më pak. Kush ka qenë dhe është më pranë një qeverie dhe kush larg saj. Kush ka bërë para dhe kush ka mbetur thatë. As kush ka marrë më shumë apo më pak financime nga QKK apo RTSH. Mua më intereson diçka tjetër: kur ky ligj të fillojë të funksionojë, cilën kinematografi do të stimulojë? Sepse kjo do të fillojë të ndodhë një ditë pasi “Ligji për Kinematografinë dhe Audiovizualin” të hyjë në fuqi. Kjo më intereson: Mbi ç’kritere do të fitojë një projekt? Kush do t’i vendosë këto kritere? Kush do të zgjedhë njerëzit që gjykojnë projektet? Kush do të përcaktojë raportin midis financimit të filmit shqiptar dhe incentivave për produksionet e huaja? Dhe çfarë mekanizmi do ta mbrojë sistemin nga klientelizmi, konflikti i interesit apo ndikimi administrativ e politik, pavarësisht se cila qeveri ndodhet nesër në pushtet? Sepse këtu shtrohet pyetja themeltare: Çfarë kinematografie shqiptare ndërton ky projektligj?

NGA FILMI SHQIPTAR TE “EKOSISTEMI AUDIOVIZUAL”

Projektligji nuk flet vetëm për mbështetjen e krijimtarisë kinematografike shqiptare. Që në nenin e parë ai vendos brenda së njëjtës hapësirë ligjore nxitjen e krijimtarisë, prodhimet vendase dhe të huaja, zhvillimin e industrisë kinematografike e audiovizuale dhe trashëgiminë shqiptare. Në nenin pasardhës, midis qëllimeve të ligjit gjenden njëkohësisht identiteti kulturor shqiptar, rritja e konkurrueshmërisë së industrisë, tërheqja e investimeve të huaja dhe promovimi i Shqipërisë si “destinacion filmik”. Dhe kjo nuk është rastësi terminologjike. Vetë relacioni shoqërues i projektligjit thotë se synohet kalimi nga modeli tradicional i mbështetjes së prodhimit filmik drejt një vizioni të integruar të gjithë krijimtarisë audiovizuale: seriale, platforma digjitale, prodhime eksperimentale, videolojëra e formate hibride. Pra, kemi përpara një ndryshim filozofie, jo thjesht ndryshim emri nga QKK në AKKA. Asnjë prej këtyre objektivave, marrë veçmas, nuk është domosdoshmërisht i gabuar. Shqipëria mund dhe duhet të tërheqë produksione të huaja. Duhet të krijojë vende pune. Duhet të përdorë peizazhin, qytetet, studiot, teknikët dhe kapacitetet e veta.

Duhet të hyjë në tregun ndërkombëtar të prodhimit audiovizual. Por pikërisht këtu lind pyetja që ligji duhet ta zgjidhë qartë: Cili është qëllimi parësor i politikës publike shqiptare: të ndërtojë kinemanë shqiptare apo të ndërtojë një industri shqiptare shërbimesh për kinemanë? Sepse këto dy gjëra mund të bashkëjetojnë. Madje duhet të bashkëjetojnë. Por nuk janë e njëjta gjë. Diferenca midis tyre bëhet edhe më e dukshme kur projektligji parashikon mekanizmin Cash Rebate prej 35 për qind të shpenzimeve të kualifikuara të realizuara në Shqipëri. Skema synon shprehimisht tërheqjen e investimeve, zhvillimin e industrisë e të shërbimeve të lidhura me të dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion për produksionet ndërkombëtare. Mund të themi se një mekanizëm i tillë mund të jetë një politikë ekonomike e dobishme. Por Cash Rebate nuk është sinonim i krijimtarisë kombëtare. Një produksion i madh i huaj mund të lërë miliona euro në Shqipëri, të punësojë teknikë shqiptarë, të përdorë hotele, transport, skenografi, kostume, katering dhe dhjetëra shërbime të tjera.

Ky është rezultat ekonomik i matshëm. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se kemi prodhuar një film shqiptar, një autor shqiptar, një dramaturgji shqiptare apo një vepër që nesër do të hyjë në kujtesën kulturore të këtij vendi. Prandaj pyetja nuk është: produksionet e huaja apo filmi shqiptar? Kjo do të ishte një dilemë artificiale. Pyetja është: çfarë raporti financiar dhe institucional krijon ligji midis tyre? Dhe këtu projektligji lë një çështje thelbësore për t’u përcaktuar më vonë: kriteret e detajuara dhe ndarja e fondeve sipas kategorive nuk fiksohen përfundimisht në ligj, por në Programin Kombëtar dhe aktet nënligjore. Edhe Fondi i Cash Rebate, kriteret e pranueshmërisë, shpenzimet e kualifikueshme dhe mekanizmat e kontrollit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra, një pjesë e përgjigjes ndaj pyetjes “sa për filmin shqiptar dhe sa për industrinë e produksioneve?” nuk gjendet ende në vetë ligjin. Ky fakt është shumë më tepër se një hollësi teknike.

PIRAMIDA QË DO TË VENDOSË PËR FILMIN

Pastaj vijmë te struktura e pushtetit brenda sistemit të ri. QKK-ja transformohet në Agjencinë Kombëtare të Kinematografisë dhe Audiovizualit (AKKA), institucion qendror në varësi të ministrisë përgjegjëse për kulturën. Në majë kemi Këshillin Drejtues dhe Drejtorin e Përgjithshëm. Këshilli Drejtues ka pesë anëtarë: dy përfaqësues të industrisë kinematografike, një të industrisë audiovizuale dhe dy përfaqësues të ministrive të Kulturës dhe Financave. Tre përfaqësuesit e industrisë propozohen nga shoqatat dhe zgjidhen përmes votimit të profesionistëve që plotësojnë kriteret ligjore. Kjo është “një garanci” përfaqësimi dhe duhet njohur si e tillë, por edhe këtu duhet lexuar më tej dhe “përtej” kësaj. Shoqatat që propozojnë kandidatët duhet të jenë të regjistruara pranë AKKA-s; AKKA verifikon kandidatët; të drejtën e votës e kanë anëtarët e shoqatave të regjistruara prej jo më pak se tre vitesh dhe që kanë të paktën tri vepra të regjistruara në Regjistrin Kombëtar. Rregullat e hollësishme të procedurës së zgjedhjes dhe votimit përcaktohen në Statutin e AKKA-s. Statuti, nga ana tjetër, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për kulturën. Këtu fillon pikëpyetja. Jo nëse këta njerëz do të jenë të ndershëm apo të pandershëm. Ligji nuk ndërtohet mbi besimin te morali i një individi. Ligji ndërtohet duke pyetur: sa i pavarur është mekanizmi edhe kur individët ndryshojnë? Sepse Këshilli Drejtues nuk është dekorativ. Ai miraton Programin Kombëtar, planin financiar, kriteret për mbështetjen financiare, politikat dhe buxhetin e projekteve promovuese; miraton përbërjen e Këshillit Artistik; vendos mbi ankimimet e subjekteve konkurruese.

Pastaj është Drejtori i Përgjithshëm. Ai emërohet nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit përgjegjës për kulturën. Ai propozon buxhetin vjetor, kalendarin e thirrjeve publike dhe fondet sipas kategorive; propozon Programin Kombëtar; nënshkruan kontratat me përfituesit; propozon Komisionin e Vizionimit dhe Komisionin Financiar; merr vendimin përfundimtar për përfitimin nga Cash Rebate. Dhe tani vijmë te Këshilli Artistik. Këtu projektligji përmban një garanci të rëndësishme: Këshilli Artistik vlerëson projektet dhe, nëse Drejtori nuk është dakord, ai mund ta kthejë vendimin vetëm një herë. Pas rishqyrtimit, vendimi i Këshillit Artistik është përfundimtar. Mirë. Por kush e zgjedh Këshillin Artistik? Këshilli Drejtues. Me çfarë kriteresh të hollësishme? Projektligji përcakton disa kritere bazë: përvojë profesionale, kontribut të dokumentuar, mungesë konflikti interesi; por kriteret e hollësishme për përzgjedhjen, funksionimin, kompetencat dhe detyrat e tij i lihen përsëri Statutit të AKKA-s. Këtu është nyja.

Nuk mjafton aspak që ligji të thotë “autonomi artistike”. Duhet parë arkitektura që e prodhon ose nuk e prodhon këtë autonomi.,Dhe zinxhiri është ky: Qeveria dhe ministri përcaktojnë një pjesë të kuadrit institucional; Drejtori propozon instrumentet kryesore të programimit dhe financimit; Këshilli Drejtues i miraton dhe zgjedh Këshillin Artistik; Këshilli Artistik zgjedh projektet. Kjo nuk provon se qeveria zgjedh filmat. Por është plotësisht e ligjshme të pyesësh: a janë mjaftueshmërisht të mëdha distancat institucionale midis pushtetit politik, administrimit të fondeve dhe gjykimit artistik, për të krijuar pavarësi reale?

KUSH KONTROLLON FONDET DHE PARANË?

Ka edhe një hallkë tjetër, për të cilën është folur shumë më pak: Komisioni Financiar. Ai vlerëson projektet financiarisht, mbikëqyr realizimin e fondeve dhe shqyrton shpenzimet e Cash Rebate. Por ky Komision propozohet nga Drejtori, miratohet nga Këshilli Drejtues dhe përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë nga struktura e vetë AKKA-s. Pra, kontrolli financiar nuk është një trupë e jashtme profesionale e pavarur nga administrata financuese, por një mekanizëm i brendshëm i saj. Mund të ketë arsye administrative shumë të mira për këtë zgjidhje. Por edhe këtu pyetja duhet bërë: a mjafton kontrolli i brendshëm kur institucioni njëkohësisht financon, kontrakton, administron dhe kontrollon realizimin financiar? Kjo është pikërisht ajo që duhet diskutuar, jo sa shtëpi ka një kineast. As nëse ka një në qytet e një në fshat. Mua më shqetëson diçka tjetër. Sa më shumë e lexon projektligjin, aq më shumë ndesh formulën: “përcaktohet në Statutin e AKKA-s”, “përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, “përcaktohet me udhëzim të ministrit”, “përcaktohet me akt nënligjor”. Sigurisht, çdo ligj kërkon akte zbatuese. Por kur te aktet e ardhshme delegohen çështje që prekin kriteret e financimit, procedurat e përzgjedhjes, funksionimin e organeve, Cash Rebate-in, shpenzimet e kualifikuara dhe mekanizmat e kontrollit, atëherë kemi të drejtë të pyesim: Sa prej sistemit që po miratojmë sot ndodhet vërtet në ligj dhe sa prej tij do të ndërtohet nesër nga ekzekutivi? Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme sepse projektligji vetë e shpall “autonominë artistike” parim të AKKA-s. Autonomia nuk është deklaratë. Autonomia është distancë institucionale.

Është mënyra si zgjidhen njerëzit. Kohëzgjatja dhe papajtueshmëria e mandateve. Transparenca e pikëzimit. Publikimi i arsyetimit të vendimeve. Rregullat e konfliktit të interesit. Mundësia reale e ankimit. Ndarja midis atij që administron paratë dhe atij që gjykon veprën. Dhe këtu, për drejtësi ndaj projektligjit, duhet thënë se ai vendos edhe garanci: ndalon përfitimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të drejtuesve dhe anëtarëve të Këshillit Artistik gjatë mandatit dhe për dy vjet më pas; parashikon papajtueshmëri; parashikon përfaqësim të industrisë dhe një Këshill Artistik profesional. Por pyetja mbetet: a mjaftojnë? Kjo është çështja që duhet të debatojmë. Jo njerëzit. Sistemin.

HESHTJA, GJITHASHTU PJESË E PROBLEMIT BAZIK

Ka edhe një aspekt tjetër shqetësues në këtë debat: pjesëmarrja. Llogoret janë ndarë. Disa flasin fort. Disa përgjigjen edhe më fort. Ndërsa një pjesë e madhe e komunitetit hesht dhe shikon ndeshjen sikur të ishte spektator në një arenë gladiatorësh. Pse? Përse një ligj që do të përcaktojë për vite mënyrën se si financohet, prodhohet dhe administrohet kinematografia shqiptare nuk arrin të krijojë një debat shumë më të gjerë profesional? Ndoshta këtu duhet të shohim përtej vetë kinemasë. Ne kemi krijuar shpesh sisteme ku formaliteti funksionon në mënyrë të përkryer në letër, ndërsa informaliteti vendos mënyrën si funksionon realiteti. Pastaj, kur diçka dështon, themi: “fajin e ka sistemi”. Por sistemin e ndërton njeriu. Dhe pikërisht për këtë ligji duhet të ndërtohet jo për njerëzit e mirë që shpresojmë të vijnë, por për njerëzit e gabuar që mund të vijnë. Një ligj i mirë duhet t’i rezistojë edhe atij që kërkon ta përdorë keq. Prandaj nuk dua të hyj në llogoren e askujt.

Nuk dua të di “kush je ti” dhe “kush jam unë”. Dua të di çfarë thotë Neni 1. Çfarë thotë Neni 4. Si ndërtohet Këshilli Drejtues. Kush zgjedh Këshillin Artistik. Çfarë pushteti ka Drejtori. Kush kontrollon financat. Si ndahet buxheti. Sa shkon për krijimtarinë shqiptare dhe sa për skemën e rimbursimit. Çfarë vendos Parlamenti me ligj dhe çfarë do të vendosë nesër Këshilli i Ministrave, ministri, Statuti dhe administrata e AKKA-s. Dhe vetëm pasi t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve mund të kuptojmë nëse kemi përpara një ligj që modernizon dhe fuqizon kinematografinë shqiptare, apo një ligj ku pesha e industrisë audiovizuale, investimit dhe shërbimit ndaj produksioneve ndërkombëtare ndryshon raportin me krijimtarinë kombëtare. Unë ende nuk po e jap përgjigjen. Sepse kësaj here dua të bëj pikërisht atë që debati publik po bën gjithnjë e më pak: ta hap ligjin. Ta lexoj. Ta krahasoj. Ta pyes. Dhe pastaj, nen për nen, të shohim se çfarë kinemaje po ndërtojmë. Sepse nuk dua të mendoj se dikush hedh “gurin e çmendurisë” në oqean dhe pastaj qindra të tjerë turren për ta nxjerrë. Më mirë ta kapim gurin përpara se të bjerë në fund. Sepse pasi ligji votohet, strukturat krijohen, fondet ndahen dhe interesat ndërtohen rreth tij, oqeani bëhet shumë më i thellë.

/Gazeta Panorama

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›