E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga këngët te skenografia, autorja Beloiza Çoku zbulon surpriza nga Fest ‘64: Rrënjët shqiptare me frymën e zhvillimit modern

Beloiza Çoku, autorja e Fest 64, ka ndarë detaje të reja rreth Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Gjatë një interviste në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ajo u shpreh se “ky edicion është ndër më të përfolurit, pasi këngët kanë krijuar që në fillim impakt të madh dhe publiku ka nisur të formojë preferencat e veta”.

Autorja Çokut zbuloi se tema e këtij viti është “Neo Albania Future” e cila sikurse tha ajo sjell bashkë rrënjët shqiptare dhe frymën e zhvillimit modern.

“Gjithmonë do të kemi rrënjët tona shqiptare, por jetojmë edhe në kohën e evolucionit teknologjik. Festivali është një nga historitë me identitet të muzikës së lehtë shqiptare,” tha ajo.

Autorja theksoi se përzgjedhja e këngëve është bërë me shumë kujdes ndërsa temat dominuese të këngëve flasin për dashurinë, lirinë, zemrën e thyer, ringritjen dhe forcën për të ecur përpara.

“Kemi një bashkëpunim të mirë dhe çdo përzgjedhje është ruajtur me fanatizëm. Të gjithë të përzgjedhurit janë mbështetur shumë. Ka talente të reja, të lidhur ngushtë me emocionin dhe me historinë, duke iu përmbajtur alternativave që i përfaqësojnë si personalitete. Temat dominuese të këngëve flasin për dashurinë, lirinë, zemrën e thyer, ringritjen dhe forcën për të ecur përpara”, tha ajo.

 Ajo zbuloi gjithashtu se në Fest 64 do të ketë shumë elementë folklorikë, pasi “rrënjët tona do të jenë gjithmonë aty”.

Autorja tha se aktualisht ekipi po zhvendoset drejt Pallatit të Kongreseve për provat finale, ndërsa paralajmëroi surpriza edhe në aspektin vizual.

“Skenografia ka rezervuar surpriza. Nuk dua të zbuloj shumë, por do të jetë një festival shqiptar dhe skenografia do ta pasqyrojë këtë në çdo kuptim”, tha autorja e Fest 64.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›