Nga paga minimale 500 euro, te 1200 euro paga mesatare, programi i qeverisë për 4 vitet e ardhshme

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Programi i qeverisë së re për periudhën 2025-2029 synon të transformojë thelbësisht tregun e punës në Shqipëri, duke e bërë atë një motor kryesor zhvillimi ekonomik dhe mirëqenieje sociale.
Një ndër prioritetet kryesore është modernizimi i shërbimeve të punësimit, përmes një sistemi inteligjent orientimi karriere dhe një platforme të dedikuar për emigrantët që dëshirojnë të rikthehen dhe të punojnë në vendin e tyre.
Në këtë mënyrë, synohet edhe frenimi i largimit të të rinjve dhe kthimi i talenteve që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë.
Në kuadër të këtij transformimi, qeveria e re e sapo miratuar në Kuvend ka vendosur një objektiv ambicioz për uljen e papunësisë në nivelin 6% deri në vitin 2030, me fokus të veçantë tek ulja e papunësisë së të rinjve nën 15%.
Për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe fuqizuar fuqinë blerëse, paga minimale parashikohet të rritet në 500 euro në fillim të vitit 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta.
Paga mesatare kombëtare do të arrijë deri në 2030-ën në 1000 euro, ndërsa në sektorin publik synohet të kapë 1200 euro, duke siguruar një rritje të ndjeshme dhe të qëndrueshme të të ardhurave për punonjësit.
Garancia Rinore do të vazhdojë të jetë një instrument kyç, duke ofruar punë, trajnim ose arsim për mbi 40 mijë të rinj, duke u fokusuar në përgatitjen e brezit të ri për tregun e punës dhe duke fuqizuar përfshirjen sociale dhe ekonomike.
Në të njëjtën kohë, forcohet politika për barazinë në paga dhe punësimin e grave, për të krijuar një treg pune më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë.
Programi përfshin gjithashtu zgjerimin e arsimit profesional me modelin dual, në partneritet të ngushtë me biznesin dhe me certifikim ndërkombëtar të kualifikimeve.
Deri në vitin 2030, synohet që një në tre nxënës të ndjekë arsimin profesional, ndërsa shkollat profesionale do të shndërrohen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara, duke u përshtatur me nevojat reale të ekonomisë dhe tregut të punës.
Në planin social, garantohet trajtim dinjitoz dhe kushte të barabarta pune, me një sistem social të qëndrueshëm dhe të besueshëm. Në nivel ndërkombëtar, do të vijojë nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe për njohjen e pensioneve, duke siguruar mbrojtje sociale të plotë dhe kushte të barabarta për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Programet e posaçme për diasporën do të fuqizojnë rikthimin e talenteve dhe transferimin e ekspertizës, duke ndërmjetësuar punësimin në sektorët prioritarë të ekonomisë.
Falë reformave të ndërmarra gjatë dekadës së fundit, papunësia është ulur në nivele historike, duke krijuar mbi 300 mijë vende të reja pune, ndërsa fuqia blerëse është rritur ndjeshëm.
Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për politikat e punësimit sipas OECD, një dëshmi e një sistemi më transparent dhe efikas.
/r.e/a.f/