E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Paqja fiskale”, falje e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vite

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Detyrimet tatimore të mbartura për më shumë se 10 vjet do të falen, ndërsa për borxhet tatimore të akumuluara gjatë 10 viteve të fundit do të zbatohet një skemë e re ripagimi me përqindje të reduktuara. Kjo do të bëhet e mundur përmes nismës “Paqja Fiskale” që do të zbatohet në harkun kohor 2026–2029.

Në programin e qeverisë së re, i cili u miratua sot në Kuvend, parashikohet zbatimi i kësaj nisme të diskutuar edhe më herët gjatë këtij viti nga ekzekutivi.

“Po hapim një kapitull të ri bashkëpunimi me sipërmarrjen shqiptare, përmes marrëveshjeve disavjeçare të lehtësimit tatimor dhe nxitjes së deklarimeve të rregullta, duke zbatuar “Paqen Fiskale” 2026–2029: faljen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vjet dhe një skemë ripagimi të borxheve të 10 viteve të fundit me përqindje të reduktuara”, thuhet në programin qeveritar.

Qëllimi i “Paqes Fiskale” është krijimi i një klime të re bashkëpunimi me biznesin, duke garantuar më pak stres, më pak kontrolle dhe më shumë qartësi, drejtësi dhe transparencë në marrëdhënien me administratën tatimore.

Kjo paketë i jep mundësi çdo biznesi dhe individi të mbyllë çështjet e së kaluarës me organet tatimore dhe të fillojë një marrëdhënie të re të bazuar në besim dhe parashikueshmëri.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›