E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nga pagesat më të lira te celulari pa roaming/ Përfitimet konkrete që sjell strategjia e re e BE-së për Shqipërinë dhe rajonin

Pagesa më të lira në euro, mundësi për të përdorur telefonin në vendet e Bashkimit Evropian pa tarifa shtesë roaming dhe lehtësira për tregtinë janë disa nga përfitimet konkrete që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mund të kenë nga integrimi gradual në BE.

Komisioni Evropian ka prezantuar një qasje të re për afrimin e vendeve kandidate me strukturat dhe politikat evropiane, pa qenë e nevojshme që ato të presin anëtarësimin e plotë. Dokumenti strategjik, i titulluar “Mekanizmat e integrimit gradual përgjatë kapitujve të anëtarësimit”, synon që përfitimet të lidhen drejtpërdrejt me përparimin e secilit vend në reformat dhe negociatat e anëtarësimit.

Pagesat në euro me kosto më të ulët

Një nga shembujt konkretë të integrimit gradual është përfshirja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Moldavia janë përfshirë në shtrirjen gjeografike të kësaj skeme, ndërsa ofruesit e shërbimeve të pagesave po integrohen gradualisht në të.

Për qytetarët dhe bizneset shqiptare, kjo nënkupton transferta në euro drejt vendeve pjesëmarrëse me kosto më të ulëta dhe procedura më të shpejta, duke reduktuar shpenzimet që më parë shoqëronin pagesat ndërkufitare.

Pa roaming në BE, objektivi i radhës për Ballkanin Perëndimor

Një tjetër përfitim që prek drejtpërdrejt qytetarët është skema “Roam Like at Home”, e cila u mundëson përdoruesve të telefonisë celulare të komunikojnë dhe të përdorin internetin në vendet pjesëmarrëse pa tarifa shtesë roaming.

Ukraina dhe Moldavia janë përfshirë plotësisht në këtë zonë që prej 1 janarit 2026. Ndërkohë, Komisioni Evropian konfirmon se po punohet për shtrirjen e kësaj skeme edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë, kjo do të nënkuptonte mundësinë që qytetarët të përdorin telefonin gjatë udhëtimeve në BE me kushte të ngjashme me ato të vendit të tyre, sipas rregullave që do të zbatohen.

Më pak pritje në dogana dhe më shumë mundësi për studentët
Integrimi gradual sjell përfitime edhe në transport dhe tregti. Përmes të ashtuquajturave “Korsi të Gjelbra” (Green Lanes), synohet lehtësimi dhe përshpejtimi i kalimit të mallrave në pikat kufitare mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Kjo ndihmon në uljen e kohës së pritjes në dogana dhe të kostove për bizneset.

Një tjetër fushë është arsimi. Përmes programit Erasmus+, studentët dhe stafi akademik nga vendet kandidate kanë pasur mundësi të studiojnë, të japin mësim dhe të zhvillojnë shkëmbime me universitetet evropiane. Sipas të dhënave të bëra publike në materialin shoqërues të strategjisë, gjatë viteve 2021–2025 janë përfshirë rreth 25 mijë studentë dhe pjesëtarë të stafit akademik nga vendet e zgjerimit.

Çfarë ndryshon me strategjinë e re?
Risia kryesore është se Komisioni Evropian synon të vendosë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes reformave që kryejnë vendet kandidate dhe përfitimeve që marrin prej BE-së. Çdo mundësi e re për pjesëmarrje në tregun e përbashkët, programet evropiane apo agjencitë e Unionit do të lidhet me kapitujt përkatës të negociatave.

Pra, përparimi në një fushë të caktuar dhe përmbushja e standardeve evropiane mund të hapin rrugën për përfshirje më të madhe në atë sektor, pa pritur përfundimin e të gjithë procesit të anëtarësimit.

Për të koordinuar këtë proces, Komisioni parashikon nisjen e dialogëve për integrimin gradual me vendet kandidate gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, me synimin për të vlerësuar masat ekzistuese, financimin dhe mundësitë e reja për secilin vend.

Strategjia përcakton qartë se integrimi gradual nuk është një përfitim pa kushte. Pjesëmarrja do të varet nga përmbushja e kritereve, përafrimi me legjislacionin evropian, zbatimi efektiv i reformave dhe përputhja strategjike me politikat e BE-së.

Një element i rëndësishëm është edhe mundësia e kthimit pas. Nëse një vend nuk përmbush më kushtet ose shënon regres në fusha si sundimi i ligjit, demokracia dhe përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, qasja në përfitimet e integrimit gradual mund të pezullohet ose të tërhiqet.

Për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, kjo qasje hap mundësi për t’i ndier përfitimet e afrimit me Bashkimin Evropian përpara anëtarësimit të plotë. Por, njëkohësisht, e bën të qartë se ritmi i integrimit do të përcaktohet nga reformat dhe rezultatet konkrete të secilit vend.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›